E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS, 19 mijë lekë në maj



Erald Kapri

Deputeti është një nga rrogëtarët më të lartë të shtetit, por 64 deputetët e opozitës janë paguar më pak se çdo punonjës i administratës. Për muajin maj, deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë në zarfet e tyre të pagës, vetëm 19 mijë lekë e cila është e barabartë me pagën minimale. Deputetët e majtë nisën punën në Kuvend me kohë të plotë në fund të muajit maj, ku morën pjesë në seancën e fundit plenare për këtë muaj si dhe në disa mbledhje komisionesh. Kjo pjesëmarrje e tyre është vlerësuar vetëm 19 mijë lekë, duke marrë për bazë vendimin e datës 20 maj të Kuvendit, i cili përcakton raportet e reja përbërëse të pagës së deputetëve. Kjo situatë ka irrituar deputetët e PS-së, ndërsa pritet që gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, ky fakt të përdoret nga deputetët e PS-së që kërkojnë, që opozita t'i kthehet protestave në rrugë. Ata e cilësojnë tallje këtë pagesë. Deputetët e opozitës shprehen se është shkelur Kushtetuta me pagën e tyre për muajin maj. Sipas tyre, administrata e Kuvendit ka marrë për bazë vendimin e datës 20 maj, duke i dhënë fuqi prapavepruese. Ata shprehen se është shkelur ligji pasi ata duhej të ishin paguar minimalisht disa herë më shumë. Kuvendi ka miratuar një vendim që çdo deputeti i jep minimalisht 35 mijë lekë para në muaj për karburant, 17 mijë lekë në muaj për telefonin celular si dhe 6 ditë dieta për takimet me qytetarët. Kjo pikë nuk është respektuar, argumentojnë deputetët e opozitës. Sipas vendimit të datës 20 maj, është përcaktuar se paga e deputetit përbëhet 90 për qind nga pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisionet parlamentare. Por deputetët e majtë argumentojnë se vendimi është marrë në datën 20 maj, dhe administrata e Kuvendit ka marrë për bazë këtë vendim për muajin maj duke i dhënë fuqi prapavepruese, çka është antiligjore. Kuvendi përcaktoi me vendim që raportet e përbërësve të pagës mujore të deputetit janë 40 për qind të pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare. Pjesa tjetër prej 50 për qind të pagës llogaritet për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit ndërsa 10 për qind të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare. "Mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit, apo seancë plenare sjell ndalesën e pjesshme të pagës, deri në 90 për qind të saj, në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit, për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë mbledhje", thuhet në vendimin e Kuvendit. Më pas specifikohet që raportet e pagës zbatohen edhe për përfitimet e tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo seancë plenare. Me këtë vendim, pritet që mungesa e deputetëve në komisione dhe seanca të jetë minimale pasi mungesa në to rëndon direkt në xhepin personal të çdo deputeti në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›