E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në Vlorë vetëm park industrial, jo energjetik

Pas akuzave të socialistëve se këshilltarët e Kryeministrit janë të punësuar në një numër të madh bordesh, kreu i qeverisë ka folur nga qyteti i Vlorës lidhur me këtë çështje. 

ADI SHKEMBI

Në një takim në kuadër të turit "Shqipëria në NATO", kreu i qeverisë tha se tre vjet më parë zyrtarët e lartë ishin të punësuar në 15 deri në 21 borde, ndërkohë që, sipas tij, qeveria e koalicionit të djathtë nuk janë të punësuar më shumë se në 3 borde. "Në komisariatin e Sarandës ishin ndërruar në 3 vjet 27 komisarë të komisariatit, kur drejtorët e doganave ndërroheshin çdo tre muaj. Ju paguanit ryshfet për të çuar fëmijët në universitet. Ministrat e kabinetit drejtonin monopolin e ushqimeve, të naftës, të ndërtimit. Zyrtarët ishin të anëtarësuar në 15-21 borde dhe jo në një, dy apo tre. Ne erdhëm në pushtet kur 70% e tenderëve bëheshin direkt. Kjo ishte situata 3 vjet më parë", u shpreh dje Kryeministri Berisha. "Kemi nxjerrë administratën nga këneta e bordeve. Duhen për ato që janë sipërmarrje jo shtetërore. Por ajo që s'duhej, ishte se këto borde mblidheshin dhe caktonin rrogën e drejtorit dhe e çonin rrogën e tij lart e më lart, dhe këtë e bënin se pastaj rrogën e tyre e merrnin sa një përqindje e rrogës së drejtorit. Asnjë njeri me tre borde", vijoi më tej kreu i qeverisë.
Parku industrial
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot në një vizitë në qytetin e Vlorës, iu përgjigj interesimit të medias lidhur me ndërtimin e parkut industrial të qytetit. Duke e vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit, Kryeministri theksoi se Vlora me zonën e saj industriale është një nga vendet më tërheqëse për investimet në të gjithë bregun Adriatik dhe Jonian. "Unë jam konsekuent në atë që premtoj. Vlora është shumë e kërkuar për çështjen e energjisë, sepse ka thellësinë e ujërave dhe është më e përshtatshme se portet e tjera. Ashtu siç edhe ju e keni parë, edhe dëshira e kompanisë ENEL ka qenë që investimin ta bëjë në Vlorë, por kjo nuk mund të realizohej, sepse unë mbaj premtimin e dhënë, kështu që ata erdhën në Porto Romano", theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, "është shumë e kushtueshme për ta, por unë do ta mbaj premtimin. U kam thënë që nuk mund të bëhet në Vlorë. Pra, Vlora nuk do të jetë park energjik, do të jetë zonë turistike, por sigurisht parku industrial është i domosdoshëm. Po kështu do të ndërtohet një port gjigant jashtë qytetit, por kjo po studiohet. Porti e ngjit Vlorën në nivele shumë të larta, por nuk mund të kemi park energjetik".

Fier-Vlorë, problem shpronësimet

Kreu i qeverisë tha dje se vonesat në ndërtimin e aksit Fier- Vlorë kanë ardhur për shkak të shpronësimeve. "Është e vërtetë që ka vonesë, por jo për mungesë parash, sepse paratë janë qindarkë për qindarkë, jo për mungesë projekti, sepse ai është i plotë, as për mungesë të dëshirës së kompanisë, sepse ajo është gati, por ka qenë një problem shumë madhor shpronësimi, sepse jo në një, por në disa fshatra të kësaj zone nuk ekziston dokumentacioni", tha Berisha.

"Shqipëria në NATO" ndalon në qershor ‘09

Kryeministri Berisha u shpreh dje në qytetin e Vlorës, se turi që ka nisur prej tri javësh "Shqipëria në NATO" do të mbyllet në ditën e fundit të fushatës së zgjedhjeve të ardhshme. "Unë do të vij sërish, sepse ky është turi im i inaugurimeve. Ky tur që ndalon ditën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, është turi i premtimeve dhe inaugurimeve të mbajtura. Unë këtë gjë kam marrë përsipër, të mbaj një për një premtimet e mia", tha Berisha.

Centrali bërthamor jo në Porto Romano

Sipas Kryeministrit Berisha, "ne do të shkojmë edhe drejt TEC-eve më të mëdha, por nuk do ta ndërtojmë në breg". Ai shtoi se Porto Romano nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e centralit nuklear, por do të përzgjidhet me kujdes vendi, pasi duhen plotësuar disa kushte për t`u plotësuar. "Në Porto Romano nuk do të ketë central bërthamor, por do të ketë TEC-e me gaz, naftë dhe me qymyr", theksoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›