E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samarxhiç: OK nga OKB të administrojmë në Kosovë

Serbia pretendon se shumë shpejt do të marrë të drejta të gjera për administrimin e komunave serbe në Kosovë, sipas një plani të dorëzuar në OKB nga autoritetet serbe. 

 Lajmin e ka konfirmuar ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç në një intervistë për agjencinë “Reuters”, ku ka pohuar se OKB-ja i ka pranuar elementet kryesore të propozimit serb të paraqitura pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Beogradi ka propozuar partneritet me UNMIK-un në gjashtë fusha vendimtare për serbët: Polici, dogana, drejtësi, kontroll i kufirit Kosovë-Serbi, transport e telekomunikim si dhe mbrojtje e trashëgimisë kulturore serbe. “Propozimi ynë është pranuar, por ai është pjesë e pakos së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe ne presim letrën e tij këto ditë”, tha Samarxhiç. Ndërkohë në Kosovë në zonat serbe, ka nisur hapur formimi i institucioneve paralele serbe. Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve serbe të 11 majit, të mbajtura edhe në Kosovë, përfaqësuesit e komunitetit serb kanë formuar dje Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, për serbët nga sot do të jetë Nenad Topliqeviç. Strukturat e reja serbe vijnë kryesisht nga radhët e radikalëve. Serbët e Kosovës e komentojnë këtë si kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë nga kosovarët. Radikali Lubomir Kragoviq thotë se, pas konstituimit të komunave, pason formimi i Kuvendit serb për Kosovën, i cili është kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kuvendi serb do të ketë 45 delegatë, prej tyre edhe dy vende për pakicat, një për boshnjakët dhe një për romët. Administrata e UNMIK-ut vazhdon t’i konsiderojë institucionet paralele serbe të dala nga zgjedhjet lokale të 11 majit, si ilegale, por nuk ka ndër mend të ndërhyjë me forcë për pezullimin e tyre, thjesht do t’u mohojë bashkëpunimin. Qeveria e Kosovës është zotuar të mos lejojë në asnjë mënyrë formimin e institucioneve paralele serbe. Qeveria e Kosovës thonë se, do t’i injorojnë këto organe, duke i cilësuar jo vetëm ilegale, por edhe inekzistente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›