E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes futbollit e biznesit, të gjithë gati për nisjen

Euro 2008, ja ku erdhi. I përkasin tashmë një epoke tjetër turnetë ku në fazën finale shkonin vetëm katër skuadra, me ndeshje gjysmëfinale dhe finale: hera e fundit ndodhi në Jugosllavi në vitin 1976. 

Fatjon Kodra

Nga Italia ‘80 u kalua në 8 skuadra, nga Angli ‘96 është aplikuar fillimisht formula aktuale me 16 skuadra. Një lëvizje e stërmadhe mediatike dhe ekonomike. Kështu, është shndërruar tashmë kampionati evropian që do të startojë sot në Bazel me ndeshjen mes Zvicrës dhe Republikës Çeke.
Shifrat e çmendura
Një operacion kompleks që ka një kosto prej 600 milionë eurosh, ndërsa organizatorët presin një përfitim ekonomik që praktikisht dyfishon shifrat: mendohet të shkojë në 1.250 miliard. Gjashtëmbëdhjetë vende që ndiqen nga shumë tifozë, jo të gjithë “të qetë”: kështu shpjegohen 29.000 agjentët e impenjuar mes Zvicrës dhe Austrisë. Pritja është gulçuese, stadiumet janë njësoj si sallone, por kanë një kapacitet relativisht të limituar: të gjitha biletat janë shitur dhe “matrapazët” po bëjnë biznes të paparë. 3.500 euro ka shkuar çmimi i një bilete në tregun e zi.
Futbolli-biznes
Luhet për fanellën dhe kush e vë në dyshim këtë e ka pisk punën, por nuk është aspak një detaj i parëndësishëm shuma e madhe e parave që do të përfitojë skuadra fituese: 27.5 milionë euro për ato që do të ngrenë trofeun. Por cila është federata që ka më shumë gjasa të fitojë këtë shumë? Në aspektin e parashikimit, favoritet janë gjithmonë po ato. Italia, pavarësisht dëmtimit të Kanavaros niset si kampione e botës dhe kërkon të fitojë Evropianin pas 40 vjetësh. Problemi për të kaltrit është “grupi i ferrit” (Holanda, Rumania e Franca), pas të cilit gjithçka mund të jetë më e lehtë për italianët.
Favoritet
Një tjetër favorite është pikërisht Franca, ndërkohë që ka interes të madh për të parë rendimentin e Gjermanisë, skuadër me shumë të rinj të talentuar, që tashmë duken më të pjekur. Skuadrat e tjera që duhen ndjekur janë Spanja, që ndoshta ka ekipin më të mirë në 30 vitet e fundit dhe Portugalia: nëse Kristiano Ronaldo e Kuarezma do të arrijnë të luajë si skuadër, luzitanët mund t’i trembin të gjithë. Përsa i përket dy vendeve pritëse, pritet më shumë nga Zvicra që ka një grup mjaft të mirë lojtarësh.
Fundjava e ngjeshur
Do të nisë me një fundjavë të gjatë. Ndeshja inauguruese starton sot në orën 18:00 në Bazel, mes Zvicrës dhe Republikës Çeke, do të vazhdohet në orën 20:45 me Portugali-Turqi. Të dielën gjithçka fillon me debutimin e Austrisë, që në orën 18:00 do të presë Kroacinë, ndërsa në 20:45 sfida e shumëpritur mes Gjermanisë dhe Polonisë. Të hënën i vjen radha grupi “të ferrit”: në orën 18:00 vjen përballja mes Rumanisë dhe Francës, ndërsa në 20:45, Italia do të sfidojë Holandën, në një nga ndeshjet më të forta të fazës së parë të këtij turneu.

Grupi A
PORTUGALI - TURQI
E shtunë, 7 qershor, ora 20:45
Stadiumi "Stade de Geneve", Gjenevë
Gjyqtar: Herbert Fandel (Gjermani)
Portugalia: Rikardo - Bosingva, Pepe, Karvalho, Kaneira - Velozo, Petit - Kristiano Ronaldo, Simao, Kuarezma - Nuno Gomes.
Turqia: Recber - Gokhan Zan, Asik, Cetin, Balta - Altintop, Aurelio, Emre, Arda - Nihat, Senturk.

EKIPET
Portugalia
Jo vetëm favorite e padiskutueshme për të kaluar grupin, por edhe një nga kandidatet potenciale për të arritur deri në finale. Portugalia vjen në Euro 2008 duke synuar të shkojë më larg se finalja e 2004-s dhe t'u dhurojë tifozëve trofeun që nuk ia dha dot para katër vjetësh. Me një grup lojtarësh ku padyshim spikat Kristiano Ronaldo, portugezët premtojnë spektakël.

Talismani Ronaldo
Trajneri i Portugalisë, Luiz Felipe Skolari, shkon në Evropianin e këtij viti pa një numër futbollistësh të rëndësishëm që i shërbyen aq shumë katër vjet më parë, por braziliani këmbëngul se te Kristiano Ronaldo, ai ka talisman që do ta çojë përpara këtë brez të ri "të artë". "Ai është një lojtar i ri, që deri më tani ka bërë një udhëtim spektakolar në jetën e tij, - thotë trajneri brazilian. - Sot ai është në fakt një nga pikat e referencës për skuadrën tonë. Një ditë ai do të bëhet kapiteni i padiskutueshëm i skuadrës portugeze, - thekson Skolari. - Për momentin ai është pjesëtar i grupit prej 5 kapitenësh potencialë, së bashku me disa lojtarët veteranë, por ka karakterin e një kapiteni të vërtetë".

Turqia
Pavarësisht se ka në pankinë një trajner që ka bërë revolucion jo vetëm në futbollin vendas, por edhe atë kontinental dhe botëror, Turqia e Fatih Terimit vjen në këtë veprimtari me një skuadër eksperimentale, që nuk premton realisht për daljen nga faza e ndeshjeve në grupe dhe kalimin në çerekfinale.

Trajneri Terim
Terim ka nënkuptuar se në debutimin në "Stade de Geneve", Turqia mund të prezantohet me tre sulmues. Në të vërtetë sulmues duhet të jenë dy: Nihat i Villarrealit (Spanjë) dhe Erding i Soshosë (Francë). 21-vjeçari Erding është tipi që duhet ndjekur, ai është një lloj arme sekrete i orës së fundit. i lindur në Saint-Claude në lindje të Francës nga prindër turq, ai posedon dy pasaporta (franceze dhe turke). Erding ka rënë në sy në kampionatin e fundit të Francës. Në kombëtaren turke edhe pse ka vetëm katër prezenca dhe asnjë gol, Terim e shikon me shumë pozitivitet. "Erding di të lëvizi, liron hapësirat për të tjerët. Është një djalë shumë i çmuar për ne", ka thënë tekniku.

Grupi A

ZVICËR - REPUBLIKA ÇEKE
E shtunë, 7 qershor, ora 18:00
Stadiumi "St. Jakob-Park", Bazel
Gjyqtari: Roberto Rozeti (Itali)
Zvicra (4-4-1-1): Benaglio - Lichtsteiner, Myller, Senderos, Magnin - Behrami, Inler, Fernandes, Barnetta - Yakin - Frei.
Republika Çeke (4-5-1): Çeh - Grigera, Ujfalusi, Rozehnal, Jankulovski - Sionko, Matejovski, Galasek, Polak, Plazil - Koller.

EKIPET
Zvicra
Zvicra është padyshim skuadra më e përgatitur e dy vendeve organizatore, krahasuar me Austrinë, dhe ka në përbërje të saj një sërë lojtarësh të rinj dhe premtues. Me këtë arsenal talentesh, me mbështetjen e tifozëve dhe statusin e vendit organizator, si dhe me pak fat, kalimi i fazës në grupe është një realitet i prekshëm për zviceranët.

Taktika e lojës
Në Bazel të gjithë janë në pritje për ndeshjen e një nga vendeve mikpritës. Biletat për në stadiumin "Saint Jakob", me 42.500 vende të gjitha të mbuluara tashmë kanë mbaruar: për ndeshjen trajneri Kuhn duhet të hedhe në fushë një formacion me dy sulmues, Frei dhe Streller, të mbështetur nga një mesfushë mjaft dinamike në krahë, ku do të pozicionohen kosovari me pasaportë zvicerane, Valon Behrami dhe lideri i skuadrës Trankuilo Barneta, që është rikuperuar. Dyshimi i vetëm mbetet në mbrojtje, pasi Myler nuk është rikuperuar ende pas një problemi muskular (gati Grichting).

Republika Çeke
Fituese e trofeut kontinental më 1976 dhe finaliste 20 vjet më vonë, Republika Çeke mbetet gjithmonë një kandidate për surprizë. Tanimë ka perënduar epoka e brezit të artë "Nedved & Co", por trajneri Karel Brykner ndërtuar një skuadër të re me emra, por të talentuar. Padyshim favorite për të vazhduar më tej në çerekfinale, krahas Portugalisë.

Vetëm me një sulmues
Te Republika Çeke, trajneri Bruckner, duke mos pasur cilësitë e Rosiçkit që është tërhequr për shkak dëmtimi, synon te një mesfushë dinamike në krahë, si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues, duke pasur besim te aftësitë e gjigandit Koler, ku do të përqendrohet e gjithë loja. Në dispozicion të teknikut do të jetë edhe mbrojtësi me eksperiencë i Fiorentinës, Ujfalushi, i cili ka pasur probleme fizike dhe ishte në dyshim deri në minutën e fundit. Çekët vijnë në këtë takim si favoritët absolutë për të fituar dhe për t'u renditur më pas të parët në Grupin A, ku janë edhe Portugalia me Turqinë.

Çeh: Me këtë top pëson gol nga 30 metra

Ylli i Çelsit, portieri Petër Çeh, 26 vjeç, ndjen se topi që do të përdoret në Kampionatin Evropian do të krijojë jo pak probleme për portierët. Sfera merr një devijim të papritur gjatë fluturimit të saj. Çeh thotë: “Topi i ri është realisht i paparashikueshëm. Ne do të shohim shumë gola nga 30 metra. Topat janë kaq të shpejtë, ata kanë thyer çdo rezistencë të erës dhe mund të ndryshojnë drejtimin në çdo sekondë, madje edhe në pesë metrat e fundit”, tha portieri i Çekisë për faqen on-line të Federatës Zvicerane të Futbollit. Edhe portieri i Gjermanisë, Jens Lehman, kishte bërë më parë kritikat e tij në lidhje me topin e Evropianit.

Miliona euro humbje nga mbetja jashtë

Mungesa e Anglisë në fazën finale të Evropianit përkthehet në një dëm të madh financiar për shumë sektorë të ekonomisë britanike. Dëmi llogaritet në 1.65 miliardë sterlina ose diçka më shumë se 2 miliardë euro dhe në mënyrë figurative i dedikohet trajnerit Stiv Meklaren, i cili nuk arriti të kualifikojë Anglinë. Sipas tabloidëve britanikë, artikujt sportivë me stemën e “Tri luanëve” s’janë shitur: dëmi 376 milionë euro, plus 62 milionë nga kompanitë që prodhonin setet e skuadrës. Në dyqanet e elektroshtëpiakeve, që gjatë Botërorit 2006 shisnin mesatarisht një televizor në minutë shitjet kanë rënë: humbjet 250 milionë euro. Humbje kanë ndierë edhe kompanitë ajrore (31.3 milionë euro) e deri të pub-et (156 milionë euro). Te humbjet shkon edhe ndryshimi i trajnerit, pasi tani Fabio Kapelo merr 3.1 milionë euro më shumë se Meklaren. Agjencitë e basteve kanë humbur 330 milionë euro. Kompanitë celularë kanë humbur 37.6 milionë euro.

Polakët 16 herë më të zgjuar se gjermanët

Midis Gjermanisë e Polonisë, skuadrat e të cilave do të përballen të dielën në Klagenfurt, “lufta e tabloidëve” ka arritur kulmin. Fotomontazhet tallëse dhe deklaratat therëse vazhdojnë të publikohen me ritëm të çmendur. Pas fotomontazhit të publikuar në “Super Ekspres”, ku trajnerit të Polonisë, holandezit Leo Benhaker i kërkohej t’i sillte në Poloni kokat e trajnerit të Gjermanisë, Lev e kapitenit Balak, një tjetër fotomontazh provokativ u publikua në tabloidin me 500 mijë kopje “Fakt”. Trajneri Benhaker paraqitej me shpatë ku në majë të saj ishte koka e Mikael Balak. Por “beteja” shkon edhe më tej. Kësaj radhe nga ylli i futbollit polak, Zbiginjev Bonjek. “Futbollistët polakë janë 16 herë më inteligjentë se lojtarët gjermanë”.

Platini: Euro, streha e futbollit

Kur duhen edhe pak orë nga fillimi i Kampionatit të 13-të Evropian të Futbollit, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini dha vlerësimet e tij në gazetën franceze “L’Equipe” për aktualitetet që e shqetësojnë futbollin kontinental, duke trajtuar një gamë të gjerë problemesh, që nga shanset e “bluve” (Francës), e deri te biznesi në futboll.

Duke dashur të ruajë neutralitetin për shkak të funksionit të tij, ish-kapiteni i Kombëtares së Francës tha: “Evropiani për mua, nuk është asgjë tjetër veçse një strehë e futbollit. Është kënaqësia ime”. Ish-trajneri i “Gjelave” foli edhe për futjen e teknologjisë video në funksion të ndihmës të gjyqtarëve. “Unë jam për t’i ndihmuar gjyqtarët me sytë njerëzorë. Unë jam kundër videos, pasi është e panevojshme. Nuk sjell asgjë dhe vetëm shkatërron ndeshjen. Nëse do të vendosim videon në gjykim, do të vendoseshim në një rreth ferri. Ka shumë njerëz që marrin vendime dhe që nuk njohin vlerat e futbollit”. Në lidhje me Ligën e Kampioneve dhe klubet që dominojnë atë, ish-numri 10 i Francës thotë: “Qëllimi nuk është më të fitojnë tituj, por paraja për të rregulluar borxhet. Shikoni deficitet e Çelsit dhe Mançesterit (1,9 miliardë euro). FIFA dhe UEFA duhet të luftojnë kundër kësaj. Mendoni që në Angli u propozua të luhej një javë, të 39-n, jashtë Anglisë. Kjo më bezdis. Duhet të gjejmë mënyrat me Shoqatën e Klubeve Evropiane për t’i ndihmuar klubet për të rregulluar problemet e tyre. Nuk duhet që dështimi të shndërrohet në një dramë financiare. Italia, Franca dhe Gjermania janë favoritët më të mëdhenj për Euro 2008", tha para disa ditësh Platini për gazetën spanjolle “As”. “Megjithatë, është e vështirë të bësh parashikime. Edhe Portugalia e Spanja janë ekipe të mëdha. Spanja, në veçanti, është një mister i vërtetë, dështon gjithmonë të kalojë çerekfinalet”. Platini, i cili udhëhoqi Francën në fitoren e Euro 1984, zbuloi sekretin e fituesve në kampionatet e mëdha. “Greqia e Italia fituan Kampionatin Evropian dhe Kupën e Botës, pasi kishin një balancë të mirë. Futbolli s’është vetëm sulm, por një balancë mes sulmit e mbrojtjes”.

Hoze Murinjo
Sipas teknikut portugez, favoriti i këtij Evropiani do të jetë Spanja pasi tek ajo kombëtare janë futbollistët më me eksperiencë pasi kanë arritur sukses në sezonet me klubet e tyre respektive. “Tradita thotë se Spanja është një ekip shumë i fortë dhe me nivel shumë të lartë, por deri në këtë moment nuk ka bërë ndonjë sukses të madh në finalet e kompeticoneve ndërkombëtare. Ndaj mendoj se koha e duhur për ta është kampionati i sivjetshëm, pasi kanë shumë lojtarë të mëdhenj. Kanë lojtarë që luajnë jashtë vendit të tyre dhe kanë marrë një kulturë tjetër futbolli, sidomos ata që aktivizohen me klube angleze”, u shpreh Murinjo.

Dëmtohet edhe Panuçi
Tjetër alarm në kazermën e Kampionëve të Botës në fuqi. Një tjetër dëmtim i rëndësishëm dhe përsëri në repartin e mbrojtjes ka shqetësuar teknikun Donadoni dhe gjithë pjesën tjetër të grupit të të kaltërve. Kristian Panuçi, gjatë stërvitjes së djeshme, ka lënë fushën e stërvitjes, duke çaluar. Dëmtimi është kuptuar që ka qënë serioz, pasi në momentin që mbrojtësi i skuadrës së Romës tentoi të çohej pas kontrollit të mjekëve të skuadrës, nuk ka mundur të mbajë këmbën normalisht në tokë, duke shfaqur edhe një lloj nervozizmi që është mëse i pranueshëm për situatën e përjetuar.

Ekstremet e moshës
Eren Derdiok i Zvicrës është lojtari më i ri i Kampionatit Evropian 2008. Sulmuesi i Bazelit do të mbushë 20 vjeç të enjten e ardhshme, më 12 qershor. Ndërsa, krejtësisht në skajin tjetër, Ivica Vastiç i Kroacisë është lojtari më i vjetër i këtyre finaleve, plot 38 vjeç. Mesfushori i LASK Linc është lindur më 29 shtator 1969, ndërsa portieri i Gjermanisë, Jens Lehman ka lindur më 10 nëntor 1969.

Pjesëmarrjet
59 skuadra nga vende të ndryshme të Evropës përfaqësohen në finalet e Kampionatit Evropian me nga një lojtar. Skuadra kampione e Evropës, Mançester Junajtid, ka pesë lojtarë në Euro 2008, që të gjithë me kombëtare të huaja: 2 portugezë e nga një holandez, polak e francez. Skuadra fituese e Kupës UEFA, Zenit i Shën Pjetërburgut ka gjashtë lojtarë në evropian. Që të gjithë janë në radhët e kombëtares së Rusisë.

Rekordi i Kroacisë
Kroacia ka numrin më të madh të lojtarëve të kombëtares që luajnë jashtë vendit, 21. Çekia vjen e dyta, me 20 lojtarë nga 23 që luajnë nëpër Evropë. Rusia ka vetëm një lojtar që luan jashtë shtetit, Ivan Sajenko i Nyrenbergut të Gjermanisë. 22 të tjerët luajnë që të gjithë në Rusi. Rusia është edhe skuadra më e re midis 16 finalistëve në Evropian. Skuadra e Hidink ka moshë mesatare 26.14 vjeç. Lojtari më i ri është 22 vjeç, më i vjetri 32.

Skuadra më shtaTlartë
Sërish, Kroacia ka një tjetër “rekord”, pasi është skuadra më shtatlartë e evropianit, 184.91 centimetra shtatlartësi mesatare, e ndjekur nga Gjermania me 184.87. Kroati më i shkurtër është 172 cm, ndërsa më i gjati 195 cm. Spanja është ekipi më shtatshkurtër i evropianit, me shtatlartësi 179.61. Spanjolli më i gjatë është 187 cm, ndërsa më i shkurtri 169. E parafundit është Turqia, 180.35 cm gjatësi mesatare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›