E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë turke: Në universitete pa shami!

Gjykata e Lartë e Turqisë ka vendosur që shamitë e kokës të mos përdoren në universitetet turke. 

Gjykata anuloi disa reforma kushtetuese, të cilat e hoqën ndalesën për mbajtjen e shamive të kokës, vendim i cili ishte marrë para një dekade. Sipas Gjykatës, këto reforma shkelnin parimet laike të vendit. Vendimin për vendosjen e shamive të kokës në universitete e kishte kërkuar me shumë ngulm presidenti turk, Abdullah Gyl, i cili kishte mundësuar miratimin e këtyre reformave në muajin shkurt. Presidenti i vendit është anëtar i partisë islamike turke, “Drejtësi dhe Zhvillim”, dhe zgjedhja e tij në këtë post ka hasur në shumë pengesa nga opozitarët e Kryeministrit Rexhep Tayip Erdogan, që bën pjesë në të njëjtën parti dhe nga ushtarakët e vendit, të cilët i druheshin faktit se zgjedhja e Gyl si kreu i shtetit do të ndikonte në shkeljen e parimeve sekulariste të Turqisë, të cilat janë vendosur vite më parë me Kushtetutë. Gyl arriti të miratonte këtë ligj, por Gjykata e lartë e refuzoi atë pas më shumë se tre muaj shqyrtimi. Analistët thonë se ky vendim do të mund të forcojë përpjekjet e kryeprokurorit të vendit, Abdurrahman Jalxhinkaja, i cili po përpiqet të nxjerrë jashtë ligji Partinë turke të Drejtësisë dhe Zhvillimit. Kryeprokurori ka bërë thirrje që t’u ndalohet aktiviteti politik rreth 70 anëtarëve të kësaj partie, përfshirë Gyl dhe Kryeministrin Erdogan. Jalxhinkaja ka akuzuar Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim se po punon kundër sistemit laik të Turqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›