E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ne flasim me vepra, opozita mashtron me fjalë

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, duke sulmuar opozitën, ka premtuar se vitin e ardhshëm në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryeministri Berisha tha se vendi ka një opozitë e cila nga mëngjesi në darkë tregon me gisht dhe nuk bën asgjë tjetër. "Akuzon dhe vetëm shpif, megjithatë mençuria është mençuri dhe kam bindjen e thellë se mes alternativës së veprave dhe fjalëve boshe, ju do të zgjidhni alternativën e veprave", theksoi Berisha. Gradualisht po shkohet drejt zgjedhjeve dhe Kryeministri ka filluar lobingun për të siguruar një mandat të dytë. "Unë kam besim te ju, se mes alternativës së veprave, të rrugëve, të shkollave, të kanalizimeve, të pensioneve, ujësjellësve dhe alternativës së llafeve boshe, ju do të zgjidhni të parën, sepse ajo është alternativa e halleve dhe derteve tuaja, është alternativa e jetës suaj të përditshme, alternativa e fëmijëve tuaj, e të ardhmes suaj", tha Kryeministri.

Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon, Kryeministri Berisha u ndal sot në Rrethin e Pogradecit. Nga Komuna e Dardhasit, kryeministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të shkojë në këtë zonë dhe të marrë shembull se si funksionojnë kopshtet dhe shkollat. Në tre vjet, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka investuar 1.4 miliardë lekë në vepra dhe objekte në të gjithë vendin. "Unë ju garantoj se mandatin tjetër këto investime do të dyfishohen, nuk do të jenë më 1.4 miliardë lekë, por do të jenë 2.8 miliardë", tha ai.

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Qafë Plloçë-Dardhas, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 51 milionë lekë. Kjo rrugë ka një gjatësi rreth 8 kilometra dhe lidh zonën e Dardhasit me aksin rrugor kombëtar.

Kryeministri vuri në dukje rëndësinë e madhe të kësaj rruge për zhvillimin e zonës dhe shfrytëzoi rastin për të siguruar banorët e zonës se po punohet me shpejtësi edhe për projektin e rrugës që lidh Qafë Plloçën me Qukësin. Kjo autostradë, e cila ishte parashikuar të kalonte Qafë Plloçë-Qafë Thanë, do të kalojë në trajektoren Qafë Plloçë - Qukës. Në këtë mënyrë, u shpreh Kryeministri, shkurtohet ndjeshëm distanca e këtyre zonave edhe me Tiranën, ndërkohë që rruga kalon në një terren shumë më të zbutur. Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Pretushë, në Pogradec, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë të vjetra. Kryeministri përgëzoi drejtuesit vendorë për këtë vendim për ngritjen e shkollës së re në këtë zonë, si nxitje për krijimin e standardeve evropiane në shkolla, duke siguruar klasa me jo më shumë se 20-30 nxënës. Ndërkohë, vijoi Kryeministri, në shkollat e kryeqytetit klasat janë me 40-50 nxënës. "Ne kemi dhënë fondet më të mëdha për Bashkinë e Tiranës dhe nga 8 shkolla që duhet të ndërtonte kryetari, ka ndërtuar vetëm dy dhe ato, në periferi të Tiranës", theksoi Kryeministri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›