Tre të rinj do të sjellin ndryshim brenda një viti
Janë tre të rinj, që do të sjellin ndryshime për një vit rresht. Ata që do të përfitojnë janë fëmijët e Gërdecit, mjedisi dhe pacientët të vegjël autik. Kjo sëmundje shkakton "ngadalësim" të proceseve të mendjes së njeriut. Projekti i madh "Bota në ndryshim", i cili zhvillohet çdo vit në disa nga vendet Perëndimore ka shpallur tre fituesit edhe në Shqipëri. "Bota në ndryshim" është e veçantë, pasi kërkon të sjellë ndryshimin aty ku ky është i vështirë, që shpesh kërkon durim, dëshirë e pasion të madh. U dedikohet njerëzve në nevojë, shqetësimeve e probleme të tyre. Ky program ka fuqinë e inkurajimit dhe eksplorimit të ideve më të mira mes njerëzve për të evidentuar, njohur dhe ndihmuar zgjidhjen e problemeve", tha Albi Greva, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, që ka vendosur plot 42 milionë lekë, për zhvillimin e tre projekteve. Këto projekte veçse do të sjellin ndryshim në disa kategori, njëkohësisht do të ndihmojnë edhe individë të veçantë të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre për të ideuar, zbatuar projekte në ndihmë të shoqërisë sonë. Sipas Grevës, ky projekt gjeneron interesin e individit ndaj çështjeve sociale, ndaj vullnetarizmit, ndaj pjesëmarrjes civile. Fuqia e këtij programi qëndron edhe në faktin se ai i jep force individëve për të ingranuar në idenë e prezantuar edhe komunitetin, shoqërinë civile e vullnetarët. Projekti i parë që ka fituar është ai mjedisor. Ai ka për qëllim të ngrejë "7 Kuvendet e Lagjeve" dhe organizimi i dhjetëra aktiviteteve vullnetare për pastrimin e mbajtjen pastër të mjediseve të përbashkëta në këto zona. Pjesëmarrja e banorëve, e veçanërisht e të rinjve e fëmijëve në këto aksione, do të rrisë ndjenjën e pronësisë së përbashkët mjedisore, kujdesit ndaj saj, si dhe shfrytëzimit miqësor të këtyre mjediseve. Një tjetër iniciativë është projekti i autizmit. Ai ka tri komponentë të rëndësishëm: fushata e informimit, krijimi i të dhënave, evidentimi i rasteve, trajtimi i një numri prej 30 rastesh nga i gjithë vendi. Projekti i tretë është për fëmijët e Gërdecit. Të vegjëlve të kësaj zone do t‘u ofrohet një strehëz këshilluese. Do të kenë këshilla mësimore, trajtim psikologjik, argëtim, bibliotekë.