E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pavijon ‘luksoz‘ brenda djegie-plastikës

Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri dhe spitali "Nënë Tereza", nënshkruan një kontratë granti, me vlerë 950 mijë euro. Kjo për zhvillimin e një projekti 16-mujor. Një iniciativë e tillë do të ndihmojë shërbimin e djegie-plastikës me përmirësim të infrastrukturës, aparatura mjekësore, barna dhe trajnime të stafit. Për përmirësimin e infrastrukturës aktuale të spitalit, mes të tjerash, projekti do të mundësojë ndarjen e një pjese të godinës. Ky aneks do të ofrojë kushtet për një trajtim antiseptik të pacientëve. Për sa u takon aparaturave, fondi do të përdoret për t‘i blerë ato, për të mundësuar instalimin dhe për t‘i vendosur në përdorim. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në krye të këtij projekti, Ardian Hackaj, deklaroi: "Ky projekt është konceptuar duke pasur parasysh nevojat dhe kërkesat specifike të mjekëve e specialistëve dhe u përgjigjet kërkesave të veçanta mjekësore. Është rezultati i një përgatitje intensive me një kohëzgjatje prej një viti pune të fokusuar në specifikën dhe vlerësimet financiare të infrastrukturës, pajisjeve, furnizimeve mjekësore dhe trajnimeve. Qëllimi përfundimtar është ngritja e një njësie moderne e të njëjtave nivele me ato të reparteve ekuivalente në Evropën Perëndimore. Ky është një projekt shumë i vlefshëm për pacientët që vijnë me djegie të trupit në fazë shumë të rëndë", tha Hackaj. Një shërbim të tillë ka munguar në pavijonin e djegie-plastikës për 25 vjet me radhë. Në përgjigje të kërkesave urgjente dhe konkrete të spitalit, projekti do të mundësojë blerjen e materialeve të nevojshëm, mjekimeve. Po ashtu do të garantojë nivel të lartë të pastërtisë dhe një trajtim të rregullt anti-septik të patologjive të djegieve. Për t‘iu përgjigjur problemeve të kualifikimit dhe ekspertizës së burimeve njerëzore në spital, projekti do të ofrojë edhe trajnime e specializime për mjekët dhe infermierët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›