Berisha: Në katër vitet e ardhshme, do të hedhim bazat e turizmit malor
Kryeministri Berisha gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të Orikumit, ka deklaruar se motoja e të djathtëve është Shqipëria evropiane dhe turistike, ku u zotua se në vitin 2013 vetëm ky qark do të presë 2, 7 milion turistë. Ky është qëndrimi ynë, sikundër katër vitet që vijnë ne do të hedhim bazat e një turizmi tjetër shumë të rëndësishëm, turizmit malor. Ky është Orikumi, të cilin e ka harruar qeveria ime, Kjo është Vlora të cilën e ka harruar qeveria ime, që në katër vjet ka bërë që në qarkun e Vlorës të investohet, jo më pak se 500 milion euro.
Për ne, turizmi është potenciali më i madh i këtij kombi dhe vendi, është potenciali i të gjitha potencialeve, është potenciali që ne do të na shkëpusë në mënyrë përfundimtare nga e kaluara e hidhur dhe do të na çojë drejt begatimit dhe prosperitetit, nënvizoi Berisha. Sipas tij, qarkun e Vlorës një grusht i vogël përpiqen me çdo kusht të mbjellin përçarje, të shpifin dhe të trillojnë. Shqiptarët thonë ata, mendojnë se fluturoi, fluturoi, por ata që shprehen në këtë mënyrë fluturojnë, se shqiptarët janë tokësorë, vijoi ai. Ndër të tjera kreu i qeverisë ka premtuar fermerët e Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Rradhimës dhe fshatrave përreth, se do të subvencionojë tërësisht mbjelljen e 3 mijë ha ullishte në këtë vend. Sikundër, disa qytetarëve të cilët janë zemërthyer sepse nuk kanë marrë tokën në pronësi, dua tu them se unë fjalë nuk lë pa mbajtur. E kam bërë dekretin në vitin 96, dikush ka bërë një vepër të papërgjegjshme me dekretin, e bëra prapë ligjin, sërish u gjetën tre vetë, që me shprehjen popullore, ta dridhnin në parlament. Sot, unë ju jap fjalën se në javën e parë, të mandatit të dytë, ai ligj do të votohet në parlament. Unë nuk lëviz nga fjala ime, sepse atyre u takon. Dhe unë kam bindje të thellë, nuk mund ti lemë ata, theksoi Berisha. Duke u ndaluar tek situata zgjedhore, kreu i qeverisë ka përmendur kartat e identitetit, ku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për ti marrë ato. Ndër të tjera, Berisha ka premtuar se gjatë katër viteve të mandatit të dytë, do të dal para 6 vendeve anëtare të BE-së. U bëj thirrje socialistëve të Orikumit, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë; Historia është histori dhe në momente historike, si qytetarë, nga ne kërkohet që të jemi në lartësinë e saj. Ky është moment në të cilin ne firmosim për projektin e Orikumit evropian dhe të Shqipërisë evropiane, nuk duhet të ndahemi. Le të ecim ne, besimin duhet ta vendosni aty, ku ai justifikohet, theksoi Berisha. Gjithashtu ai ka nënvizuar se Evropa tre ditë më parë u gdhi blu, ku 24 vende të saj votuan për partinë, simotra të PD-së.