Zgjedhjet, të dënuarit votime me kartat e reja elektronike
Të dënuarit në Shqipëri, kanë shfaqur interes të madh për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 Qershor. Specialistë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bënë të ditur dje se, mbi 4.800 të dënuar dhe paraburgosur, ose 99% e tyre në shkallë Republike kanë aplikuar dhe janë pajisur me letërnjoftimin e ri elektronik.
Ndërkohë që, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë marrë masat e duhura për ngritjen e të gjithë infrastrukturës zgjedhore në sistemin e burgjeve. Specialistët e kësaj drejtorie, konfirmuan ngritjen e qendrave të votimit për të dënuarit dhe të paraburgosurit, në mënyrë që ata të ushtrojnë të drejtën e votës për zgjedhjen e përfaqësuesve të ardhshëm të Parlamentit Shqiptar. Nga të njëjtët specialistë mësohet se të dënuarit dhe të paraburgosurit do të votojnë për kandidatët e zonës, ku ndodhet burgu ose paraburgimi në të cilin qëndrojnë të izoluar. Gjithsej në vendin tonë janë 10 burgje dhe 9 institucione paraburgimi, të cilat janë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë.