Specialistët, apel partive: Jo postera nëpër monumentet e kulturës
Për të mbrojtur fasadat e monumenteve të kulturës nga uzurpimi me posterat elektoralë, specialistët dhe drejtuesit e institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore dhe monumentet në Gjirokastër u kërkojnë forcave politike t'i kursejnë këto të fundit.
Me anë të shkresës zyrtare Sjellje në vëmendje për ruajtjen e fasadave në Qendrën Historike të Gjirokastrës nga dëmtimi prej materialeve elektorale, selive lokale të partive politike u kërkohet pikërisht të mos ngjisin postera në këtë pjesë. Vëmë re me kënaqësi që fushata elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit po karakterizohet nga një trajtim etik i propagandës elektorale. Sjellim në vëmendjen tuaj nevojën e vijimësisë së këtij procesi për të ruajtur fasadat e Qendrës Historike të Gjirokastrës nga dëmtimi që mund t'u bëhet përmes vendosjes pa kriter të posterave apo materialeve të tjera elektorale. Nisur edhe nga rekomandimet e Organizatës Botërore të Monumenteve UNESKO mbetet përparësi madhore ndërveprimi i të gjithë aktorëve në mirë administrimin e dhe mirë menaxhimin e Qendrës Historike", thuhet në këtë shkresë zyrtare. Nga ana tjetër, fakti që fluksi i turistëve që vizitojnë qytetin e Gjirokastrës shtohet çdo ditë e më tepër, mungesa e etikës gjatë fushatës elektorale do të dëmtonte imazhin në syrin e vizitorëve të huaj.