Oketa: Zgjedhjet, sfidë e përbashkët për rikonfirmimin e qeverisjes aktuale
Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa është takuar me qytetarët e lagjes 5 të këtij qyteti, ku falënderoi votuesit e kësaj zone për mbështetjen e dhënë 4 vite më. Vazhdoni të besoni te Partia Demokratike ashtu siç i besuat asaj Shqipërinë në vitin 2005, sepse në këto 4 vjet qeverisja demokratike i është përkushtuar ndryshimit rrënjësor të vendit. Kabineti qeverisës e quan sfidën e ndryshimit si një fat të mirë.
Ka qenë një punë shumë e madhe pasi ky kabinet ka ndërmarrë reforma shumë të thella në Shqipëri, nënvizoi ai. Ndër të tjera, Oketa tha se sistemi fiskal me taksa të ulëta mundësoi hapjen e më shumë vendeve të punës dhe nëpërmjet taksave të ulëta u rritën të ardhurat në buxhet dhe u bë e mundur rritja e pagave e pensioneve. Edhe pse kundërshtarët tanë politikë deklarojnë se korrupsioni nuk është luftuar, fakti që buxheti i shtetit është dyfishuar, fakti që investimet janë shumëfishuar në infrastrukturë, shkolla, shëndetësi, bujqësi, tregon qartë se lufta kundër korrupsionit ka qenë efikase, nënvizoi Oketa. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Durrësit, Oketa u shpreh se procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike është një nga proceset më të mëdha e domethënëse të kësaj qeverie, pasi secili nga ju tashmë arrin të identifikohet dhe kjo në një vend demokratik është shumë e rëndësishme. Këto zgjedhje nuk i shoh si një sfidë vetëm të Gazmend Oketës, apo edhe të 13 deputetëve të qarkut të Durrësit, por si një sfidë të përbashkët për të rikonfirmuar qeverisjen aktuale dhe për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve E duam Shqipërinë si gjithë Europa, përfundoi ai.