E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në mandatin e dytë do ul taksat

Kryeministri premton nga Kuçova liberalizim vizash, rritje pagash e pensionesh, por dhe ndërtimin e rrugëve të reja


KUÇOVË- Punësimi, taksat dhe liberalizimi i vizave kanë qenë tri pikat kryesore të fushatës së Partisë Demokratike në qytetin e Kuçovës. Kryeministri Berisha ka premtuar se do të vazhdojë me uljen e taksave, gjë që do të jetë edhe prioriteti i qeverisë së tij mandatin e ardhshëm. "Unë ju garantoj se taksat e ulëta, konsolidimi i tyre, do të mbeten linja kryesore e revolucionit tonë fiskal.


Unë u bëj thirrje qeveritarëve vendorë të Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë të mos rëndojnë biznesin e vogël me taksa. Ata le të bëjnë projekte dhe për çdo nevojë që do të kenë për fonde, qeveria do t'ua financojë të gjitha, pa asnjë dallim partiak",- tha Berisha. Ai ka premtuar hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, duke u bazuar kryesisht tek biznesi i vogël.


Ndërkohë, Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa shfrytëzuar rastin për të sulmuar sërish kundërshtarin e tij, Edi Ramën, për faktin përse ai nuk kandidon vetë në listat e PS-së.


"I bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Partisë Socialiste: çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja, për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t'ia mbathësh. Kjo nuk pranohet.


Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh Parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t'i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve",- tha Berisha.
Pothuajse gjatë të gjithë takimit, Kryeministri ka insistuar në togfjalëshin "Kuçova Europiane, Shqipëria Europiane".


Edhe pse tri ditë më parë BE-ja rrëzoi premtimet e Berishës për liberalizim vizash, ai u shpreh: "Ne ia dolëm që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të aplikojë si vend anëtar në Bashkimin Europian dhe të jetë e gatshme që, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në mbarë Europën".


Kryeministri ka renditur arritjet e qeverisë së tij në mandatin e parë dhe ka premtuar ndërtimin e rrugës që do të lidhë Kuçovën me Elbasanin. "Kuçova europiane, Shqipëria europiane do të thotë, para së gjithash, infrastrukturë moderne europiane në Kuçovë dhe në mbarë Shqipërinë.


Këtu ka nisur me shpejtësi rruga Kuçovë-Belsh-Cërrik, segment i rëndësishëm i boshtit të jugut, bosht që e shndërron Beratin dhe Kuçovën në një nyje jashtëzakonisht të rëndësishme të qarkullimit dhe transportit në vend",- tha Berisha.


Një tjetër premtim i tij ishte rritja e pensioneve në nivelet që do të kalojnë gjashtë vende të Bashkimit Europian. "Jam sot, këtu, për t'u zotuar para jush që katër vitet që vijnë pagat dhe pensionet tuaja e të mbarë shqiptarëve do të parakalojnë pagat e pensionet e gjashtë vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi ynë është pensione e paga të larta për ju dhe mbarë shqiptarët",- tha Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›