Digjen 35 kg drogë nga policia
Asgjësimi u bë në bazë të 8 vendimeve të ndryshme të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në fund të proceseve të grupeve të goditura nga prokuroria
Rreth 28 kile heroinë, 7 kokainë dhe 5 kile përzierës u dogjën nga një komision i posaçëm në sheshin e plehrave në Sharrë
TIRANE- Asgjësohen me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, 35.6 drogë, heroinë dhe kokainë si dhe 5 kg lëndë përzierëse e pastër.
Asgjësimi i lëndës narkotike është bërë i ditur dje nga policia e Tiranës, sipas të cilës ishin asgjësuar 28.286 kg heroinë, 7 kilogramë e 361 gramë kokainë, dhe 4.960 kg lëndë që përdoret për përzierës.
Vlera e mallit të asgjësuar sipas burimeve të policisë besohet se e kalon shifrën e rreth 350 mijë eurove, nëse lënda narkotike do të qe shitur me shumicë. Asgjësimi është kryer nëpërmjet djegies dje në mesditë në zonën e Sharrës, në fushën e mbeturinave.
Një komision i posaçëm i përbërë nga një prokuror i Krimeve të Rënda, shefi i Antikrimit të Organizuar të Tiranës, një specialist i Institutit të Policisë Shkencore, shefi i zyrës së Antidrogës së Tiranës, oficerë të tjerë të kësaj zyre, një specialist i Qendrës Kombëtare të Kontrollit te Barnave etj.
Sipas burimeve të Policisë së kryeqytetit lënda e asgjësuar i përket disa operacioneve të ndryshme të kryera në rrethe të vendit, ndërsa veprimet hetimore ndaj të arrestuarve janë kryer në ambientet e Policisë së kryeqytetit Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Asgjësimi i lëndës narkotike është bërë me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pas përfundimit të proceseve gjyqësore të personave të cilëve iu ishte kapur lënda nakrotike. Sipas procedurës, pas përfundimit të procesit dhe dhënies së vendimit të formës së prerë, gjykata duhet të vendosë asgjësimin e provave.
Në rastin e asgjësimit të lëndëve narkotike, ky veprim kryhet nëpërmjet djegies së saj në prani të një komisioni të posaçëm pasi më parë është peshuar dhe kanë rënë dakord të gjithë anëtarët e pranishëm të komisionit të caktuar.
Mesditën e djeshme, komisioni i përbërë nga së paku 7 vetë ka marrë vendime të ekzekutimit që kishte të bënte me elminimin e një sasi e lënde narkotike heroinë dhe kokainë e bllokuar në tetë operacione të ndryshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nëpërmjet disa operacioneve të saj të përbashkëta me Policinë.
Pasi janë konstatuar vendimet e ekzekutimit dhe vendimet e Gjykatës për dhënien fund të procesit, komisioni peshoi lëndën narkotike që kishte mbërritur në një automjet të Institutit të Policisë Shkencore. Lënda më parë ishte administruar dhe mbajtur nën ruajtje me anë të proces- verbaleve përkatëse në kasafortat e oficerëve të Antidrogës.
Pas peshimit të heroinës, kokainës, dhe përzierësit, anëtarët e komisionit ranë darkord për djegien e lëndës narkotike, duke nënshkruar në një proces- verbal të hartuar posaçërisht për këtë rast nga një oficer policie.
Në fund lënda narkotike është djegur, ndërsa procesi i djegies dhe asgjësimit të saj, sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit është filmuar, fotografuar dhe dokumentuar nga policia dhe Prokuroria.
Droga e asgjësuar
28.28 kg heroinë
5 kg përzierës
7.36 kg kokainë.