Femra për 3 mijë lekë pranë ambasadave
Pronari i një moteli në rrugën "Naim Frashëri" dhe menaxherja e tij janë dërguar për gjykim nga prokuroria 3 muaj pas arrestimit
TIRANË- Mbyllet hetimi për pronarin e një moteli, Sulejman Shehu, si dhe menaxheren e seksit të motelit S. Aliaj, të akuzuar për "Mbajtje të lokaleve për prostitucion" dhe "ushtrimit të prostitucionit" të një ambienti pranë bllokut të Ambasadave.
Sipas dosjes përkatëse që pritet të gjykohet nga Petrit Çomo, të pandehurit janë arrestuar me 4 shkurt 2009 në një lokal që ndodhej në rrugën "Naim Frashëri" prapa bllokut të ambasadave mes rrugës së "Kavajës" dhe asaj të "Durrësit".
Arrestimi i tyre u bë pas një vëzhgimi të policisë në bashkëpunim me prokurorinë. Në momentin e arrestimit aty u gjetën edhe 7 femra të tjera, që kryenin seks kundrejt pagesës. Pronari i motelit është hetuar në gjendje arresti ndërsa gruaja e akuzuar si menaxhere e vajzave, është hetuar në gjendje të lirë.
"Gjatë fazës hetimore është provuar dhe faktuar me prova të ndryshme materiale, se i pandehuri Sulejman Shehu ishte pronari i "Bar-Motelit" që ndodhej në rrugën "Naim Frashëri", prapa bllokut të ambasadave dhe kishte punësuar si menaxhere të pandehurën S. Aliaj, e cila prezantohej edhe si mbesa e pronarit,- thuhet në kërkesën për gjykim.
Menaxherja Aliaj, sipas provave e dëshmive të marra gjatë hetimit, kishte punësuar si "banakiere", "pastruese", "kameriere", "rrobalarëse apo hekurosëse çarçafësh" shtatë vajza që realisht kryenin detyra të tjera kundrejt pagesave nga 2 mijë lekë të reja deri në 5 mijë lekë për një kontakt seksual.
"Për çdo marrëdhënie seksuale që kryenin të punësuarat e lokalit, pronari Shehu merrte një përqindje të caktuar bashkë me menaxheren Aliaj, e cila në disa raste dyshohet se ka ushtruar edhe vetë rolin e prostitutës,-thuhet në dosjen hetimore.
Sipas akuzës, policia me urdhër të prokurorisë, dy muaj kanë hetuar, vëzhguar, fotografuar, filmuar e përgjuar pronarin e lokalit, menaxheren dhe të punësuarit e saj që punonin nga mëngjesi deri në darkë vonë, duke arritur ndonjëherë xhiron ditore për persona deri në 30 mijë lekë të reja.
"Janë identifikuar dhe marrë në pyetje persona të ndryshëm, të cilët e frekuentonin si klientë të rregullt lokalin që shumica e tyre janë të moshës mbi 40 vjeç.
"Ky lokal, ka qenë disa herë i shënjestruar, pasi shpesh në numrin 129 të Policisë së kryeqytetit banorët e pallateve rreth denonconin se në këtë lokal ushtrohet prostitucion. Pas këtyre informacioneve, policia në disa raste ka shoqëruar pronarin e lokalit duke e liruar më pas për mungesë provash,- thuhet në dosje.
Mësohet se për të mos rënë në sy, klientët që kërkonin takim seksual me një femër përdornin emrin e koduar se "dua një suko", duke caktuar edhe çmimin nga pas që varionte nga 2 mijë lekë deri në 5 mijë lekë të reja, shumë kjo e caktuar nga vetë të punësuarat e lokalit.
Policia, pas hetimeve operative për dy muaj ka organizuar operacionin e policisë të koduar me emrin "Driloni", duke ndërhyrë rreth orës 14:30 minuta të datës 4 shkurt 2009 në lokalin e pronarit Sylejman Shehu duke arrestuar atë dhe menaxheren e lokalit e cila po ushtronte aktivitetin e saj të prostitucionit, ndërsa 7 vajzat e ndaluara aty janë marr në pyetje dhe janë lënë të lira.