E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ne po hedhim themelet e shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve për projektin në kaskadën e lumit Devoll, vepra më e madhe energjetike në Shqipëri. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë ngjarje si një ndër ngjarjet më madhore, në historinë e këtij vendi, e cila përveçse një përfitimi të konsiderueshëm në fushën energjetike, do të bëjë të mundur punësimin e mijëra qytetarëve, nga të cilët 5 mijë punëtorë direkt në frontin e punës dhe rreth 3000 të tjerë ndihmës. Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në fushën e hidroenergjisë, si një kryevepër të ndërtimit, në llojin e vet, kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore. 

“Ky hidrocentral, është një gur i madh themeli në strategjinë time; Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Dante Aligeri do të shkruante dikur se nuk ka gjë më të rëndë të kujtosh kohërat e mira në kohë të vështira. Unë do të thosha se nuk ka gjë më të mirë se të kujtosh kohëra të mira je në vështirësi dhe t’i ndërtosh ato. Ne bëjmë një investim prej 1 miliard euro. Ky projekt do të mundësojë prodhimin afërsisht të 1000 Gëh energji të rinovueshme, cila do të rrisë prodhimin aktual të energjisë elektrike në Shqipëri me rreth 20 %. Kaskada e Devollit që do të ndërtohet në një tunelin rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Kreu i qeverisë rikujtoi se dy vite më parë Shqipëria ishte në një terr energjetik ndërsa sot nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike. 

“Dy vite më parë, kur unë me mikun tim Erwin Pröll kur firmosëm memorandumin e mirëkuptimit ne ishim në vuajtje të mëdha, me mungesë të madhe energjetike. Sot me parime të reja të vendosura, nuk ka dhe nuk do të ketë ndërprerje energjie për qytetarët shqiptarë. Sot ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjetike”, tha Berisha. 

Kryeministri theksoi se 170 hidrocentrale të reja janë firmosur kontratat dhe nisin ndërtimin, si dhe 120 të tjera presin të dalin edhe ata në treg.

Kryeministri ftoi kompanitë investuese “EVN” dhe “Statkraft” të vazhdojnë interesin e tyre, sepse pas kaskadës së Devollit është kaskada e Vjosës, kaskada e Osumit, kaskada e Shkumbinit, është Skavica dhe dhjetëra e qindra hidrocentrale të tjera. 

“Këto investime e bënë Shqipërinë, para së gjithash dhe mbi të gjithash, se qeveria ime ka krijuar në këtë vend klimën dhe kushtet më miqësore për investitorët e huaj. Taksa e sheshtë prej 10 për qind dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja. Ambicia imë është shumë e madhe. Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për rritjen ekonomike, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për investimet e huaja, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë ‘quantum leap’ i Evropës në zhvillimin e saj”, deklaroi më vijim shefi i ekzekutivit Sali Berisha.

Nga ana e tij, Guvernatori i landit të Austrisë së poshtme Erwin Pröll u shpreh se kjo ditë shënon në bashkëpunimin me Kryeministrin e Shqipërisë z. Berisha një hap të ri dhe një faqe të re në historinë energjetike të Shqipërisë. 

Ai vlerësoi se “puna e qeverisë tuaj është dëshmia më e mirë për suksesin e Republikës së Shqipërisë”.

Zbatimi i këtij projekti, i cili  është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Evropë në fushën e hidroenergjisë, do të mundësojë optimizmin  e plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tre hidrocentraleve të planifikuara, me një kapacitet të instaluar në rajon prej 320 megavat. 

Në ceremoni ishte i pranishëm dhe guvernatori i Austrisë së Poshtme Ervin Proll, i cili falënderoi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe siguroi se do të vazhdojë të mbështesë kompaninë “EVN”, për të çuar deri në fund këtë projekt të rëndësishëm për Shqipërinë.

Gjithashtu, në ceremoni morën pjesë edhe ministrat Genc Ruli dhe Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›