E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ne vjelim paratë, nuk fryjmë xhepat

Kryeministri Sali Berisha siguron qytetarët shqiptarë se paratë e tyre kanë vetëm një destinacion, atë të investimeve dhe jo më në kontot bankare të politikanëve. Ai vuri në dukje se “ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente. Këtë deklaratë Kryeministri e bëri dje gjatë inaugurimit të punimeve për rrugën e plazhit të Spillesë, ku shoqërohej nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Gjatë inaugurimit ai u shpreh se paratë e buxhetit të shtetit shkojnë të gjitha në zërin e investimeve. “Investimet tregojnë mënyrën e shfrytëzimit të parave. Lekët nuk përfundojnë në konton e politikanëve”, - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se investimet do të rriten. Rruga e plazhit të Spillesë është e gjatë rreth 12 km dhe punimet do të nisin nga qendra e Komunës së Luzit të Vogël. Vlera e tyre do të kapë shifrën e 250 milionë lekëve të vjetra, që do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Inaugurimi i radhës i Kryeministrit Sali Berisha u bë në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon".

Arsimimi, qeveria mbështetje banorëve të Preshevës

Kryeministri Sali Berisha premton mbështetje për shqetësimet e banorëve të Lugës së Preshevës, sidomos në fushën e arsimimit. Këtë ia bëri dje të ditur delegacionit nga Lugina e Preshevës, ndër të cilët deputetit shqiptar në Parlamentin serb, z. Riza Halili, si dhe kryetarëve të Komunave dhe të Kuvendeve të Preshevës dhe Bujanovcit. Përfaqësuesit e delegacionit nga Lugina e Preshevës falënderuan Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe interesimin e përhershëm për Luginën e Preshevës, si dhe e njohën Kryeministrin me problematika të ndryshme në komunat e Luginës së Preshevës veçanërisht me problemin e njohjes së diplomave të shqiptarëve të marra në Universitetin e Prishtinës, si dhe probleme të tjera lidhur me arsimimin e të rinjve të kësaj krahine. Kryeministri u shpreh se do të mbështesë zgjidhjen e problemeve dhe kërkesave që autoritetet e Luginës së Preshevës i parashtruan, si dhe u shpreh se arsimi shqiptar është i hapur ndaj të rinjve të kësaj zone, duke shpresuar që edhe problemi i njohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës të shkojë shumë shpejt drejt zgjidhjes. Për këtë u cilësua mjaft i rëndësishëm roli që ndihma dhe mbështetja e autoriteteve ndërkombëtare në Luginën e Preshevës mund të japin në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›