E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, kritika Rusisë për situatën në Gjeorgji

Tirana zyrtare i shpreh qëndrime kritike Rusisë për gjendjen e krijuar në Gjeorgji, konkretisht në rajonet e Osetisë dhe Abkhazisë. Kryeministri Sali Berisha thirri dje në një takim ambasadorin e Rusisë në Tiranë, z. Prishepov, i cili e informoi për gjendjen atje dhe vendimin e Rusisë për shpallje lufte ndaj Gjeorgjisë. Por z. Berisha i bëri të ditur ambasadorit rus, Prishepov, se qeveria shqiptare është shumë e shqetësuar për zhvillimet në rajonin e Kaukazit, të cilat i konsideron si tepër të rrezikshme për të ardhmen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në këtë rajon, por edhe më gjerë. Sipas Berishës, shpalosja e trupave ruse jashtë territorit të Osetisë dhe Abkhazisë përbën një agresion të qartë ndaj Gjeorgjisë. Në këtë rast qeveria shqiptare përshëndet projektin e Presidentit Sarkozi dhe projekt-marrëveshjen që u nënshkrua nga presidentët Sakashvili dhe Medvedev me kontributin e sekretares amerikane të Shtetit, Rice. Por Kryeministri vuri në dukje se moszbatimi i kësaj marrëveshjeje nga qeveria ruse e detyroi Presidentin Sarkozi t’i dërgojë një letër të dytë Presidentit Medvedev, ku të kërkojë zbatimin e saj. “Ndërkohë që nuk ekziston asnjë dëshmi për thyerje të kësaj marrëveshjeje apo për një sulm te ri të forcave gjeorgjiane, që nga momenti që u nënshkrua ky pakt. Në të kundërt, trupat ruse kanë pushtuar porte dhe territore të gjera të Gjeorgjisë, duke përshkallëzuar edhe më tej konfliktin, sipas një skenari të parapërgatitur, me synim shpalljen e pavarësisë se këtyre dy rajoneve dhe njohjen e saj nga ana e Rusisë”, - deklaroi z. Berisha. Kjo krijon përshtypjen e një hapi të parë drejt aneksimit të këtyre rajoneve nga ana e Rusisë, - vijoi më tej ai, - pasi asgjë nuk e pengon Dumen ruse ta ndërmarrë një vendim të dytë, ku të kërkojë aneksimin e tyre të plotë nga ana e Rusisë. Argumentit të ambasadorit rus se marrëveshja nuk bën fjalë për integritetin territorial të Gjeorgjisë, Kryeministri Berisha iu përgjigj se gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ka disa rezoluta të OKB-së, përmes së cilave Osetia dhe Abkhazia janë njohur si pjesë integrale e territorit të Gjeorgjisë. Pavarësisht se Rusia zotëron të drejtën e vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo i ka votuar këto rezoluta, duke njohur kështu tërësinë territoriale të Gjeorgjisë dhe sovranitetin e saj mbi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Duke u kthyer tek ngjarjet e 7-8 gushtit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare e përshëndet nismën e Presidentit Sakashvilli për një hetim ndërkombëtar mbi këto ngjarje. Zhvillimet e mëvonshme pas kësaj date të krijojnë përshtypjen e një plani të parapërgatitur, - theksoi Berisha. Shpallja e pavarësisë së Osetisë dhe Abkhazisë në mënyrën që u krye, krijon përshtypjen se ky është hapi i parë i një plani për aneksim të plotë të këtyre territoreve nga Rusia. Kjo për faktin, që megjithëse në Abkhazi nuk kishte pasur konflikt, përsëri u implementua i njëjti skenar si në Oseti, çka të krijon bindjen se jemi para një plani të parapërgatitur aneksimi nga ana e Rusisë, i cili përbën pushtim të një vendi nga një vend tjetër. Këto veprime krijojnë përshtypjen se e shkuara perandorake po përdoret si platformë për të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›