E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monarkia shqiptare mbush 80 vjeç

Monarkia shqiptare në datën 1 shtator mbush 80 vjet dhe legalistët kanë menduar të organizojnë një konferencë shkencore ndërkombëtare me rastin e këtij përvjetori. Kjo synon të hedhë dritë mbi këtë periudhë ende të panjohur të shtetit shqiptar dhe të historisë shqiptare. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahiu, njoftoi se “me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së Monarkisë Shqiptare dhe në kuadër të rishikimit të historisë, për herë të parë mbas 69 vjetësh, institucionet e shtetit shqiptar, dhe më konkretisht: Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë si dhe Muzeu Historik Kombëtar, do të organizojnë një Konferencë Shkencore Ndërkombëtare me temë “Monarkia Shqiptare 1928-1939”. Sipas tij, në këtë konferencë, do të referojnë 21 historianë e studiues, të huaj dhe vendas, si dhe do të ketë aktivitete të ndryshme kushtuar kësaj periudhe shumë të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar. 80 vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese, e zgjedhur nga votimet e 16 gushtit të atij viti dhe që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në monarki parlamentare dhe duke shpallur Ahmet Zogun, si Mbret të Shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›