Kuvendi nis nga puna, Patozi: Do të fillojmë me dosjet
Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare u mblodh ditën e djeshme, nga ku vendosi që Kuvendi të fillojë punë ditën e hënë, ndërsa në datën 8 shtator të mbahet seanca e parë plenare. Axhenda 3-javore e parë e Kuvendit do të ketë si detyrë miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave, ose siç njihet ligji i dosjeve, projektligji për prokurorinë si dhe Kodi Zgjedhor. Mes këtyre tri prioriteteve duket se do të niset me miratimin e ligjit të dosjeve. Këtë fakt e konfirmoi dje kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili tha se ky ligj do të kalojë i pari në Kuvend. Ai kërkoi mirëkuptimin e opozitës për këtë ligj, por tha se në rast të kundërtën, “shumica parlamentare do të bëjë si në të gjithë botën, do të kalojë ligjin”. Patozi tha më tej se shpreson që “të paktën në dy javët e para të muajit shtator të kalojmë bashkërisht me opozitën ligjin e ashtuquajtur të dosjeve”. Numri një i parlamentarëve demokratë u ndal edhe në projektligjin e Prokurorisë, pjesë e reformës në drejtësi. Ai konfirmoi faktin se duke qenë pjesë e kësaj reforme, nuk do të kalojë pa mirëkuptimin e opozitës. Patozi shtoi se ligji kërkon 84 vota, por nga ana tjetër, palët kanë marrë detyrimin se reforma në drejtësi do të kalojë me konsensus të plotë. Duket se reforma zgjedhore është pjesa më pak e kontestuar. Edhe Astrit Patozi tha se në këtë proces palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët. “Kjo është një punë në proces, e cila nuk ka ndalur edhe gjatë muajit gusht, por ai që do ta thotë fjalën e tij do të jetë Komisioni i Posaçëm, i cili do të nisë menjëherë axhendën e tij me miratimin e ligjit të ri zgjedhor”,- tha Patozi. Kuvendi do të startojë ditën e hënë pas një ndërprerjeje njëmujore të aktivitetit në komisionet e përhershme të Kuvendit.
Prifti: Kufizimet e energjisë po pengojnë privatizimin e OSSH-së
Nënkryetari i LSI-së, Tritan Prifti, deklaroi dje se procesi i privatizimit të Sistemit të Shpërndarjes rrezikohet në rast se furnizimi me energji nuk është 24 orë. Sipas Priftit, kufizimet e energjisë ulin besueshmërinë tek investitorët, si dhe ulin vlerën e OSSH-së gjatë privatizimit. “Të kufizosh energjinë disa ditë para privatizimit do të thotë t’ia ulësh më tej vlerën kësaj ndërmarrjeje. Kush është ai investitor që ofron shumë para për një ndërmarrje gati të falimentuar, për një ndërmarrje që është e falimentuar financiarisht, një ndërmarrje që ka falimentuar nga menaxhimi për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme që ajo ka, dhe një ndërmarrje që nuk ka mundësi të furnizojë me energji? Pra, unë kam bindjen që të gjitha këto veprime që po bëhen nga qeveria kohët e fundit bëhen vetëm për të rritur vlerën e përfitimeve të jashtëligjshme të qeverisë me shitjen e kësaj ndërmarrjeje”, - tha Prifti në konferencën e shtypit.