E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci, minierat kanë punësuar 6 mijë punonjës



Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, bën bilancin 7-mujor

Ruli premton energji 24 orë në muajt e dimrit

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, bëri dje bilancin 7-mujor të vitit në dikasterin e tij, ku vend të parë zuri shfrytëzimi i minierave. Ruli bëri të ditur se minierat shqiptare, që pas vitit 1990 u mbyllën, po rikthehen në punë ndaj dhe sot në këtë sektor punojnë 6 mijë punonjës, nga 1 800 që punonin në vitin 2005. Njëkohësisht, ministri Ruli u shpreh se gjatë muajve të dimrit energjia nuk do të mungojë, kjo për faktin se rezervat duken të mbara si dhe investimet kanë përmirësuar rrjetin. Ai u ndal edhe tek pjesa e privatizimit, të cilin e cilësoi si shumë të vështirë. “METE do të përfundojë brenda këtij viti kalendarik, me sukses të plotë, të gjitha privatizimet strategjike, por në të njëjtën kohë kemi shënuar arritje edhe për sa i përket privatizimeve të SME-ve. Furnizimi me energji elektrike i zonave turistike ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë periudhës maj-gusht dhe konkretisht rreth 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, - tha Ruli.

Minierat

Në ndryshim nga struktura e prodhimit para viteve ‘90, ku përveç mineraleve metalore tradicionale metalike si kromi, bakri e hekur-nikeli, nxirrej edhe një sasi e konsiderueshme qymyrguri, sot mbizotëron prodhimi i gëlqerorëve, argjilave dhe më pak kromi, bakri e hekur-nikeli. Prodhimi është rritur vit mbas viti dhe tani po i afrohet volumit të para viteve ‘90, me rreth 3,5-4 milion tonë minerale në vit. “Në ketë kuadër deklarojmë se në vitin 2007 u dyfishua numri i zakonshëm i lejeve minerare të dhëna gjatë një viti, duke arritur shifrën 140 leje. Ndërkohë deklarojmë se vetëm për periudhën janar-gusht 2008 janë dhënë 109 Leje Minerare, kundrejt 500 kërkesave (aplikime) të shqyrtuara. Sot funksionojnë rreth 500 shoqëri minerare të cilat zotërojnë rreth 650 leje minerare, me një sipërfaqe rreth 1700 km2. Aktualisht, si kurrë ndonjëherë tjetër industria minerare shqiptare 100% e privatizuar, po përdor me shumë efikasitet investimet vendase e të huaja dhe po zhvillohet me ritme më se të kënaqshme”, - theksohet në raportin e Ministrisë së Ekonomisë. Parashikohet që deri në fund të vitit 2008 impiantet e Elbasanit e Burrelit do të arrijnë kapacitetin prodhues prej 45000 tonë ferrokrom/vit, ndërsa në fund të vitit 2009 kapaciteti prodhues do të arrijë në rreth 70000 tonë ferrokrom/vit. Gjatë vitit 2007 u eksportuan rreth 350,000 tonë krom me një vlerë rreth 140 milionë euro.

Ekonomia

“Shtatë muajt e parë të vitit 2008 shënojnë arritje impresionuese në drejtim të reformave të rëndësishme ekonomike, zhvillimit të biznesit, rritjeve të mëdha të eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte. Sot mund të themi se reformat e mëdha në këtë drejtim e kanë bërë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për IHD”, - u shpreh Ruli. Eksportet me origjinë shqiptare rezultojnë me një rritje të madhe në masën 44 për qind, ndërkohë që eksportet e përgjithshme figurojnë të jenë rritur me 21 për qind. Kjo rritje nuk vjen vetëm nga eksporti i mineraleve apo naftës bruto, por edhe nga eksporti i disa grup artikujsh të tjerë si lëndët e ndërtimit dhe produktet bujqësore. Fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 vlerësohet të jetë rreth 227 milionë euro ose 65 për qind më i lartë nga gjashtëmujori i parë i vitit 2007. Investime të rëndësishme private po realizohen në sektorë të ndryshëm të ekonomie, në sektorin elektroenergjetik, industrinë e çimentos, së naftës, në sektorin e manifakturës etj. Pritet që deri në fund të vitit niveli i FDI-ve të arrijë në rreth 600 milionë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›