E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimet për banorët e rinj nisin kësaj jave

05/10/2009  Qytetin Studenti / banorët e vjetër tashmë e kanë të përcaktuar dhomën

Pagesa për strehim është 35 000 lekë

Regjistrimi i banorëve të rinj që do të strehohen për këtë vit akademik pranë Qytetit Studenti do të bëhet gjatë kësaj jave. Për këtë Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të depozitojë pranë ndërmarrjes së Qytetit Studenti listën zyrtare me emrat e kandidatëve të shpallur fitues përfundimisht për pranimet e 2009-2010-s sipas çdo fakulteti, mbi bazën e të cilave do të bëhet pranimi i prurjeve të reja në godinat e konvikteve. Drejtoria e Qytetit Studenti tashmë e ka hartuar planin e strehimit të banorëve të vjetër dhe atyre të rinj, i cili është publikuar edhe në faqen zyrtare të këtij institucioni. Për rreth katër ditë me radhë banorët e rinj (të viteve të para) do të paraqiten pranë Qytetit Studenti për të kryer procedurën e regjistrimit, ku dhe do të derdhin pagesën përkatëse. Ndërsa studentët e viteve të ndërmjetme tashmë e kanë të përcaktuar numrin e dhomës dhe të shokëve që do të rrinë me ta. Këta të fundit duhet të bëjnë derdhjen e pagesës së filialin e bankës që është përcaktuar. “Studentet e vitit të parë e bëjnë pagesën pranë bujtinave kur regjistrohen. Studentët e viteve II-VI, të cilët janë të shpallur në listë pasaporta sipas bujtinave përkatëse të planifikuar për vitin akademik 2009-2010 e bëjnë pagesën për strehim pranë BKT-së (Banka Kombëtare Tregtare ) me numër llogarie të TS-1 sh 403002295 dhe pranë “BIS Banka” me numër llogarie të TS-1 sh.a 6937. Pagesa për strehim është 35 000 lekë”. Për regjistrimin e strehimin në godina për vitin akademik 2009-2010 studenteve do t’u kërkohet dokumentacioni i mëposhtëm: certifikatë me fotografi e periudhës korrik–tetor 2009 ose fotokopje e kartës së identitetit e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar; 3 fotografi; vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje); raporte mjekësore nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas studentet duket të sjellin pranë Qendrës Shëndetësore kartelën mjekësore si dhe kërkohet edhe mandat Pagesa. Gjithashtu dosja duhet të përmbajë edhe urdhër regjistrimin nga inspektorët regjistrues, të cilët janë të vendosur pranë çdo bujtine. Shërbimi sportelist në godina (recepsioni ) do të jetë gjatë 24 orëve, duke kontrolluar hyrje-daljet e studenteve në godina si dhe duke u njoftuar po nga këta të fundit për defektet e dhoma të natyrave të ndryshme.

MASH mbledh të dhënat

Zbardhen sot të dhënat për regjistrimet në universitete

Prej dy ditësh të gjitha fakultetet publike në vend kanë mbyllur procesin e regjistrimit të kandidatëve fitues për pranimet e 2009-2010-s. Listat zyrtare pritet të dërgohen pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për secilin prej universiteteve në vend. Në këto lista do të evidentohen jo vetëm emrat e kandidatëve që janë shpallur fitues e që kanë konfirmuar regjistrimin përfundimtar, por edhe vendet e mbetura bosh për çdo program të studimeve të larta. Në bazë të kuotave që kanë mbetur pa realizuar do të merret dhe vendimi për plotësimin e tyre nëpërmjet një faze të tretë. Listat me të dhënat e ecurisë së regjistrimeve MASH do t’i depozitojë pranë APRIAL-it, agjencisë ku bëhet renditja e fituesve në bazë të pikëve të arritura nga secili prej pjesëmarrësve në provimet e Maturës Shtetërore të këtij vitit. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave do të merret dhe vendimi për vendet bosh, të cilat do të plotësohen me një rishpërndarje të re. Kjo e fundit do të përzgjidhet sipas rezultateve të arritura nga secili maturant jofitues pas përzgjedhjes së re të degëve në formularin A-3 të preferencave, që do të përmbajë të listuara vetëm ato degë që kanë kuota të paplotësuara nga dy fazat e para. Ndërkohë është përcaktuar që plotësimi i këtij formulari do të lejohet vetëm për ata kandidatë që nuk figurojnë të regjistruar në asnjë prej programeve të studimeve të larta publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›