E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektori zgjat afatet e regjistrimeve, stafi e kundërshton

05/10/2009  Universiteti i Vlorës, Shaskaj, ua poston luftën vartësve të tij në emër të autonomisë

VLORE- Rektori jep urdhër që afati i regjistrimeve të jetë deri më 4 tetor, por kjo gjë është kundërshtuar nga stafi i tij. Kjo është ngjarja më e re nga Universiteti i Vlorës, ku Rektori i këtij universiteti ka nxjerrë njoftimin e afatit të regjistrimeve për pasditen e diel, ndërsa nga ana tjetër stafi akademik e ka kundërshtuar këtë vendim. Ndërkohë kundërshtimi i ardhur nga ana e stafit pedagogjik ka konfirmuar edhe njëherë që i qëndron vendimit të tyre duke mos respektuar urdhëresën e fundit të rektorit. Sipas të njëjtës shkresë, sqarohet se nuk bëhet asnjë lloj kompromisi me MASH-in në lidhje me vendimin e majit të 2008-s çka nën kupton urdhëresën për mosregjistrimin e asnjë studenti me mesataren nën 6. Edhe pse ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri akademik, mbi 800 studentë janë në udhëkryq mes deklaratave nga universiteti, të cilët ritheksojnë qëndrimet e tyre dhe ato të ministrit që jep siguri se studentët janë regjistruar.

Deklarata

Deklarata për shtyp e stafit pedagogjik të universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”.

Ka ritheksuar qëndrimin e vazhdueshëm të këtij universiteti për të mos pranuar nxënës “të dobët”. “Kjo deklaratë bëhet për të kundërshtuar vendimin e Rektorit për zgjatjen e afatit të regjistrimeve të maturantëve deri në ditën e diel, në datën 4 tetor 2009. Ne si kolektiv pedagogjik i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës e konsiderojmë këtë një shkelje të rëndë të autonomisë së universitetit dhe nëpërkëmbje të autoritetit dhe dinjitetit të Senatit të UV-së, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Vlorës. Ritheksojmë qëndrimin tonë të mëparshëm, të deklaruar në datën 23/09/2009, që nuk mund të bëhet asnjë kompromis me MASH-in në kundërshtim me vendimin e Senatit të UV-së të majit 2008.

U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve akademike, intelektualeve, opinionit publik, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, që ta përkrahin kauzën tonë”, thuhet në deklaratën e stafit të Universitetit të Vlorës.

Shkon në 202 numri i nxënësve që nuk frekuentojnë mësimin

Braktisin shkollën, task forcë për t’i rikthyer

Drejtoria Arsimore bashkëpunim me vendorët për të këtë çështje

KORÇE- Tashmë Drejtoria Arsimore e rrethit të Korçës ka të evidentuar të gjithë nxënësit që kanë braktisur shkollën që nga dita e parë e saj. Numri i tyre shkon në 202 vetë. Me këtë fenomen po përballen disa nga shkollat e qytetit të Korçës siç janë: “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali”, “ Asdreni”, “Nuçi Naçi” dhe ndonjë shkollë tjetër, por në të njëjtën kohë braktisja është vërejtur edhe në disa shkolla fshati, si në Podgorie, në fshatin Sheqeras, apo edhe në ndonjë fshat tjetër. Arsyet e braktisjes së shkollës janë të ndryshme, duke filluar që nga ato ekonomike dhe problemet sociale që mund të ketë familja e një nxënësi që ka braktisur shkollën. Informacioni i mësipërm është bërë i njohur nga burime pranë Drejtorisë Arsimore të rrethit të Korçës, të cilat nënvizuan faktin se aktualisht janë evidentuar nxënësit që kanë braktisur shkollën, ndërsa kthimi i tyre në mësim i përket një faze të dytë, që do të thotë se realizimi final do të jetë fundi i muajit në vijim apo ditët e para të tetorit. Për realizimin e këtij qëllimi janë marrë një sërë masash, si ngritja e grupeve të task-forcës, bashkëpunimi me bashkinë e qytetit dhe pushtetin vendor, veçanërisht me ato komuna ku ka braktisje të shkollës, si dhe me faktorë të tjerë që mund të ndihmojnë në këtë drejtim, siç janë fondacionet. Në lidhje me fenomenin e braktisjes së shkollës, burime pranë Drejtorisë Arsimore në rrethin e Korçës sqaruan se tashmë pas evidentimit të kësaj situate janë ngritur grupet e task-forcës, të cilat janë shpërndarë në të gjitha shkollat që përballen me këtë shqetësim. Këto grupe do të qëndrojnë pranë këtyre shkollave deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Sipas burimeve në fjalë, toleranca ndaj braktisjes së shkollës do të jetë zero. Gjithçka do të realizohet në kuadrin e detyrimit shkollor, në kuadër të zbatimit të udhëzimit nr. 23 të Ministrisë së Arsimit si dhe në kuadër të prioriteteve që ka qeveria për arsimin. Asnjë fëmijë nuk do të lejohet që të qëndrojë larg bankave të shkollës. Burimet e cituara më sipër bënë të ditur gjithashtu, se për dhënien fund fenomenit të braktisjes do të bashkëpunohet me pushtetin vendor, dhe institucionet e tjera shtetërore si dhe me fondacionet e ndryshme që operojnë në këtë rreth, me qëllim që familjet me probleme ekonomike dhe sociale të ndihmohen prej tyre. V. Hasani

Nënshkruhet kontrata 5-vjeçare

Universiteti i Shkodrësbashkëpunim me atë austriak

SHKODER- Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës vazhdon të jetë i suksesshëm në drejtim të rritjes së bashkëpunimit me sa më shumë universitete të huaja. Respektimi i marrëveshjeve të arritura në vite si dhe rezultatet e shkëlqyera të punës që po bëhet në këtë universitet ka sjellë sot rinovimin e marrëveshjes me njërin prej universiteteve austriake, të cilin kishte lidhje prej vitesh. Kështu, vetëm pak kohë pas zgjatjes së afatit të bashkëpunimit me universitetin e Gracit të Austrisë, universiteti i Shkodrës ka nënshkruar marrëveshjen e rinovimit të bashkëpunimit edhe me universitetin tjetër austriak të Klagenfurtit. Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Artan Haxhi ka pritur në zyrën e tij zëvendësrektorin e Universitetit të Klagenfurtit prof. dr Hubert Lengauer. Takimi mes dy drejtuesve të universiteteve respektive u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes pesëvjeçare mes dy institucioneve të arsimit të lartë austriak dhe shqiptar. Marrëveshja ishte vijim i bashkëpunimit mes këtyre dy universiteteve që nga 19 maji i vitit 1994. Gjatë këtyre viteve ka pasur një bashkëpunim mjaft të mirë në fushën e pedagogji-psikologjisë, gjeografisë, informatikës etj, bashkëpunim që do të jetë edhe më i fuqishëm pas nënshkrimit të rinovimit të marrëveshjes së realizuar ditën e sotme. “Ne u jemi shumë mirënjohës juve dhe kolegëve tuaj, për gjithçka ju keni ofruar për Universitetin tonë”, theksoi rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, gjatë diskutimit me zv/rektorin austriak Lengauer. Nga ana e tij Lengauer falënderoi rektorin Haxhi për mikpritjen dhe shprehu angazhim maksimal për një bashkëpunim edhe më të frytshëm në të ardhmen. Vitet e tjera universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës ka siguruar lidhje të ngushta bashkëpunimi me universitetet e vendeve të huaja si dhe shoqata e organizata të ndryshme arsimore, perëndimore. Në këtë kuadër janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh protokollare bashkëpunimi me një sërë universitetesh si ai i Gracit të Austrisë, Universiteti i Firences në Itali, Universiteti i Klagenfurtit të Austrisë, Universiteti i Pizës (Itali), Universiteti i Parmës (Itali), Universiteti i Bolonjës (Itali),Universiteti i Prishtinës (Kosovë), Universiteti i Peçit (Hungari), Universiteti i Sarajevës ( Bosnjë- Hercegovinë), Sandhills Comunity College në Karolinën e Veriut (SHBA). Këto bashkëpunime të shumta kanë shërbyer për rritjen cilësore, bashkëkohore të Universitetit të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›