E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, shkatërrohen dy shtëpi nga rrëshqitjet e dheut

RREZIKU/ Shtabi i emergjencave në prefekturën e Korçës mohon ngjarjen e ndodhur në komunën e Trebinjës


POGRADEC- Rrëshqitjet masive të tokës shkatërrojnë totalisht 2 shtëpi, ndërsa 7 të tjera janë të kërcënuara nga i njëjti rrezik.

Fshati Trebinjë në komunën me të njëjtin emër është përfshirë nga kaosi, ndërsa dy shtëpi janë shembur krejtësisht duke lënë pa çati banorët e tyre. Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturën e Korçës reagon pas më shumë se 5 orësh.

Asnjë masë për 70 banorët e fshatit të vogël, kurse gjatë mbasdites të së mërkurës janë rikthyer sërish rrëshqitjet e tokës, ndonëse me intensitet më të vogël.

Ndërkaq, reshjet e borës nuk i janë ndarë Trebinjës, teksa trashësia e tyre kalon 60 cm. Rrëshqitja e tokës e cila ka marrë me vete dhe dy shtëpi ka ndodhur të martën. Fenomeni i shkarjes së tokës është shfaqur rreth një muaj më parë.

Alarmi nga ditët e para të shkurtit është përcjellë i fortë nga ana e kreut të komunës në Shtabin e Emergjencave Civile pranë prefekturës së Korçës. Të martën banorët kanë ndier lëkundje të fuqishme të tokës, ndërsa kanë lënë të alarmuar shtëpitë e tyre nga frika e një tërmeti.

Pas daljes nga banesat të afro 70 banorëve të Trebinjës, fshat që ndodhet 800 metra mbi nivelin e detit në rrethin e Pogradecit, rrëshkitja e tokës në më shumë se 700 m2 ka shembur dy shtëpi. Banesat e shembura janë të shtetasve Myslym dhe Fevzi Spahiu.

Edhe 7 banesa të tjera janë në të njëjtin rrezik. Paniku ka përfshirë fshatin Trebinjë dhe 200 banorët e tij, ndërsa prej një muaji ata kishin njoftuar strukturat shtetërore për fenomenin e rrëshqitjes dhe plasaritjen e mureve të shtëpive të tyre.

Fill pas ngjarjes komuna Trebinjë ka evakuuar banorët të cilët do të strehohen tek të afërmit e tyre. Rreth orës 16:30 rrëshqitja e tokës ka filluar të aktivizohet përsëri, ndërsa reshjet e dëborës nuk i janë ndarë përgjatë gjithë ditës së mërkurë zonës së largët malore të qarkut juglindor të vendit.

Kryetari i komunës Trebinjë, Gjergji Buzo, pas alarmit dhe sinjalizimit të banorëve për shembjen e dy shtëpive të tyre, ka njoftuar prefekturën e Korçës për situatën që ka mbërthyer zonën. Buzo ka deklaruar për gazetën "Shekulli" se gjendja në fshat është shumë e rënduar.

Masat e marra për këtë rrëshqitje kanë munguar, ndërkohë që pas më shumë se 5 orëve vetëm një përfaqësues i zyrës së emergjencave civile ka shkuar në vendin e ngjarjes. Ka qenë Dhori Çekrezi që ka shkuar në vend, ndërsa mungojnë specialistët e fushës.

Ndërsa dy banesa janë shembur dhe 6 të tjera janë në rrezik Shtabi i Emergjencave pranë prefekturës së Korçës ka luajtur indiferentin. Në orët e para të ngjarjes, Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturën e Korçës ka mohuar ngjarjen, madje sipas tyre nuk ka pasur shtëpi të shembura.

Kryetari Buzo: Fat që shumë shtëpi janë të pabanuara


Në rrezik janë shtëpitë e Ali Spahiut, Jani Thanës, Maksi Thanës, Dhimitraq Thanës, Mihal Buzos, Jovan Buzos dhe Vasil Buzos. Shumë nga shtëpitë të cilat janë në rrezik për t'u shembur janë shtëpi që pronarët e tyre i kanë mbyllur me çelës prej shumë vitesh, pasi kanë ikur në qytet për të jetuar në vitet e tranzicionit dhe një pjesë e tyre janë emigrantë në Greqi.

Nga dy shtëpitë e rrënuara vetëm Myslim Spahiu banonte momentalisht në shtëpinë e shembur së bashku me familjen e tij me gjashtë persona, ndërsa Fevzi Spahiu ishte larguar para disa kohësh në Pogradec. Kryetari i komunës së Trebinjës Gjergji Buzo për gazetën "Shekulli" thotë se situata është emergjente dhe rreziku evident.

Sipas kryetarit të komunës, avantazhi është se disa shtëpi nga ato shtatë të rrezikuara nuk kanë banorë, pasi një pjesë e tyre kanë ikur në Greqi, kurse një pjesë tjetër kanë ikur të banojnë në qytet. Nga shtëpitë e rrezikuara momentalisht banon Mihal Buzo dhe Jovan Buzo.

"Ne, - thotë kryetari i komunës, - e kemi gjendjen nën kontroll pasi familjet që banonin në shtëpitë e shembura dhe ato që rrezikojnë të shemben i kemi sistemuar tek të afërmit, gjithsesi, shkarja është masive dhe rrezikon edhe shtëpi të tjera".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›