METE shtyn afatin e përpunimit të anijeve të naftës në portet e Durrësit dhe Shëngjinit
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi dje se ka vendosur të shtyjë afatin e zbatimit të VKM “Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit”, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 109. datë 14 gusht 2007, që parashikonte ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës dhe gazit në këto porte brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Në zbatim të vizionit strategjik të qeverisë, për t’i zhvilluar aktivitetet e transportit të naftës dhe gazit në zona të ndërtuara enkas për këtë qëllim (miratuar me vendimin nr. 21, datë 19.10.2001 i KRRTRSH) si ajo e Porto-Romanos në veri të Durrësit dhe zona e ish–Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës, METE ka informuar në kohë të gjitha subjektet dhe institucionet e interesuara, si dhe ka marrë vendimet përkatëse për ndërtimin e kësaj infrastrukture, e cila është në përfundim në të dyja zonat, përkatësisht nga shoqëria “Romano Port” sh.a. dhe “La Petrolifera Italo-Albaneze” sh.a. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur që ky afat të shtyhet deri në 30 qershor 2009. Ky vendim është marrë duke pasur parasysh se deri në përfundimin e afatit 18-mujor për ndërprerjen e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, nuk ishte bërë ende funksional Pontili i Porto-Romanos. Për të mos ndërprerë aktivitetin e import-eksportit të nënprodukteve të naftës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i ka kërkuar Këshillit të Ministrave këtë shtyrje të afatit, ndërkohë që shpreh vullnetin e qeverisë shqiptare që aktiviteti i përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, si dhe aktiviteti i transportimit dhe depozitimit të këtyre produkteve në bregdetin shqiptar të përqendrohet vetëm në zonat e miratuara nga KRRTRSH-ja.