E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, PS: Berisha mbylli hetimet

Partia Socialiste akuzon Kryeministrin Berisha se ka mbyllur hetimin për tragjedinë e Gërdecit. 

Aristir Lumezi

 Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se hetimet për tragjedinë jo vetëm janë penguar, por edhe janë bllokuar nga kryeministri dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Kryeministri me shenjë tha dje se, nuk ka penguar hetimet për Gërdecin, por në fakt ai duhet t’u thoshte shqiptarëve se i ka mbyllur hetimet, se ai e ka klasifikuar ngjarjen dhe për këtë shkak ai ka mbrojtur dhe autorët e krimit shtetëror të Gërdecit, kur e ka cilësuar ngjarjen me vendim qeverie si aksident të thjeshtë teknologjik”, tha Braçe. Në këtë mënyrë socialistët hedhin poshtë deklaratat e Kryeministrit Berisha se, “ata që mendojnë se qeveria ka penguar hetimet, po trillojnë”. “Qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën që i takon të japë. Janë marrë të gjitha masat administrative ndaj të gjithë personave potencialisht ose direkt të lidhur me këtë ngjarje. Qeveria ka plotësuar çdo kërkesë të bërë. Qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuar në zbardhjen e së vërtetës së këtij hetimi”, deklaroi dy ditë më parë Kryeministri.
Nënkryetari i grupit socialist akuzoi gjithashtu Kryeministrin se  nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, ka imponuar rrjedhën e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. “Për më tepër Kryeministri duhet t’u thoshte shqiptarëve se zëvendësja e tij në parti, apo numri dy i shtetit, kryetarja e Kuvendit, i mori kohë Prokurorisë dhe i dha më pas kohë keqbërësve me letrën e saj skandaloze që dhunonte rëndë pavarësinë e hetimeve, ku urdhëronte me firmën e vulën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë se duhej hetuar ai apo ai tjetri. Madje, me letrën e saj, ajo impononte dhe rrjedhën e hetimeve”, tha Braçe. Në këtë kuadër, Braçe në emër të PS-së akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masat ndaj krimit që ka kapur shtetin. “Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim administrativ, jo më ndonjë reformë institucionale dhe ligjore si reflektim të rënies së shtetit në krim dhe kapjes së qeverisë nga krimi, lidhjes së krimit me familjen biologjike dhe politike, madje nuk ka marrë asnjë veprim që të japë garanci që krimi si ai i Gërdecit nuk do të ndodhë më”, tha Braçe.

“Standard afrikan për moshën dixhitale”
PS-ja hodhi poshtë dje deklaratat e Kryeministrit Berisha për arritjet në “moshën dixhitale”. Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, tha se “Shqipëria në moshën dixhitale” renditet pas Tanzanisë, Nigerisë, Kenias dhe shumicës së vendeve të tjera afrikane. Sipas studimit të fundit mbi Teknologjinë e Informimit në vitin 2008, Shqipëria vendoset në vendin e 108 nga 127 vende që janë në listë”. Sipas tij, Kryeministri Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që optimizmi i tij demagogjik është i pajustifikuar, sepse ai nuk mbulon dot faktin që sot kemi standarde “Afrikane”: nga korrupsioni, siguria, cilësia e jetës dhe ekonomia e çdo familje shqiptare dhe deri te teknologjia e shekullit të ri, në të cilin kemi hyrë vetëm në mënyrë kronologjike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›