Berisha: Nuk e ftuam Topin për 21 vjetorin e PD sepse shkon në festat e Ramës. Protokolli e përgënjeshtron: Kishte ftesë
Berisha thotë në Opinion se PD do ketë kandidatët e saj për president. Deklaron se Rama po vdes që Berisha të lexojë librin Kurban, por thotë se nuk do e lexojë pasi ka në dorë librin për Steve Jobs.
Kryeministri Sali Berisha, i ftuar në mbrëmje në emisionin Opinion në TV Klan, ka deklaruar se atij nuk i ka shkuar ndërmend të ikë nga kryesimi i Partisë Demokratike. Berisha tha se do largohet vetëm kur të humbasë zgjedhjet. I pyetur se kush do e marrë kryesimin e PD në rast të humbjes, ai tha se duhet ta marrë dikush që garanton rikthimin e saj në pushtet.
Për votimin e Bujar Leskajt
I pyetur për çështjen e Bujar Leskajt, Berisha tha se ajo nuk ishte një kandidaturë e konsultuar. Berisha iu referua me këtë rast një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që përdoret shpesh nga mazhoranca për të treguar se presidenti Topi duhet të marrë mendimin e Kuvendit për propozimet që bën. Topi bëri të qartë se nuk do respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Me këtë logjikë i binte që të mos kishim kryetar të KLSH-së derisa Topi të mbaronte mandatin. Në këtë mënyrë prevaloi institucionalizmi, tha Berisha.
Kryeministri shtoi se Bujar Leskaj është megjithatë ndryshe nga Sali Shehu. Nuk ishim ne që bëmë zgjedhje politike, ishte Topi që na solli kandidaturë politike, tha Berisha.
I pyetur për marrëdhëniet e kryeministrit me presidentin, Berisha tha se ato janë pa interes për publikun.
Për Bamir Topin
Kryeministri Berisha tha se Topi i kishte bërë një nder me deklaratën e tij se do bëjë parti. Por cenoi dinjitetin e postit kryesor të shtetit. Ne nuk e kandidojmë më, kjo është e prerë. Do kishte qenë më e ndershme që të jepte dorëheqjen e të bënte partinë që ka deklaruar se do e bëjë. Kur thotë se do bëj parti politike se nuk më kandidojnë së dyti, kjo është në cenim të frymës së ligjeve, tha Berisha.
I shtyrë nga mllefi kundër kreut të shtetit, Berisha tha se ai nuk ishte ftuar në ceremoninë e 21 vjetorit të PD. Berisha tha se Topi më kollaj shkon në një festë të Ramës. E tregoi me votë këtë, tha Berisha. Megjithatë gjatë emisionit është konfirmuar se për Topin ka pasur një ftesë nga protokolli, por ai e ka shmangur vajtjen në ceremoni. Berisha pranoi se nuk e dinte duke u justifikuar se ishte në Francë.
Për Edi Ramën
Duke folur për kreun e PS, Berisha tha se ai e kishte ndihmuar për të rrëzuar Nanon, në mënyrë që të bëhej ai vetë kryeministër. Thoshte gjithmonë ta heqim Nanon se Berishën e heqim vetë, tha Berisha.
Kryeministri ka vijuar të flasë për librin e Edi Ramës. Ai po vdes që tia lexoj librin, tha Berisha, Por nuk mund të lë librat për Steve Jobs dhe George Soros për një libër mediokër, tha Berisha.
Berisha tha se do votojnë kandidatin e PS për Avokatin e Popullit edhe pse ai ishte një proces tejet i politizuar. Berisha tha se kandidatura ka dalë nga zyrat e Koço Kokëdhimës.
Për Fatos Nanon
Duke folur për Fatos Nanon, Berisha tha se PD do ketë kandidatin e vet për president. PD ka plot personalitete për të promovuar, tha Berisha. I pyetur nëse do jetë Topalli kandidate, Berisha tha se asnjë emër nuk do publikohet pa përfunduar mandati i Topit. Nuk ekziston dhe nuk do ekzistojë asnjë kandidat pa nisur gara, tha Berisha. PD nuk kandidon Nanon, ai është lideri historik i së majtës, tha kryeministri Berisha. Ai vetë tha se nuk do jetë kandidat.