E Diel, 1 Nëntor 2026

Ritëm dhe emocione, por asnjë gol

Ritëm dhe emocione në përballjen midis Barcelonës dhe Mançester Junaitid.

Ashtu siç pritej, të dyja skuadrat u munduan të japin më të mirën dhe të kënaqin publikun e pranishëm në “Kamp Nou”, por deri në një farë pike. Asnjë gol i shënuar. Ndeshja nisi shumë mirë për miqtë. Vetëm pas pak minutash lojë, Gabriel Milito kapi topin me dorë brenda zone dhe arbitri Masimo Busaka nuk hezitoi për të akorduar 11-metërsh. Por, ka qenë ai që të gjithë prisnin se do të bënte mrekullinë në këtë ndeshje, Kristiano Ronaldo, personi që e shpërdoroi një rast të tillë për të shënuar. Ylli portugez i Mançesterit gjuajti jashtë dhe kjo i dha më shumë zemër lojtarëve vendës, të cilët me kalimin e minutave filluan të fitojnë terren ndaj kundërshtarit. Raste të shumta për shënim, lëvizje të bukura në fushë, duele midis kampionësh dhe sërish nuk mjaftoi që të shënohet një gol. Gjithçka e barabartë në stadiumin “Kamp Nou”, i cili e priti në mënyrë spektakolare përballjen midis gjigandëve të futbollit evropian. Tashmë, stafeta i kalon stadiumit “Old Trafford”, në të cilin do të përcaktohet edhe skuadra që do udhëtojë për në finalen e Moskës. Gjithçka është e hapur dhe çdo lëvizje në ndeshjen e kthimit, do të ketë dyfishin e peshës që kishte në takimin e parë. Por, sërish një gjë do jetë e sigurt. Ritëm dhe emocione...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›