E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare e mbyll me Lacion...,por pas dy vitesh

Igli Tare do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm te Lacio, ndonëse kontrata e tij aktuale skadon në fund të qershorit 2008.

Jetmir Halilaj

Lajmin e ka pohuar vetë ish-kapiteni i Shqipërisë në një intervistë të dhënë për “Panorama”. Sulmuesi ka thënë se është në bisedime me drejtuesit e klubit roman dhe me shumë mundësi do ta rinovojë kontratën me bardhekaltërit.
Në median italiane kanë filluar të qarkullojnë zëra se Igli Tare do të largohet në fund të sezonit nga Lacio, për shkak se i skadon kontrata. Sa e vërtetë është kjo?
Këto lloj lajmesh janë normale sepse jemi në prag të fillimit të merkatos së verës, por fatkeqësisht këtë radhë nuk ka asgjë të vërtetë në mes, sepse do të ndodhë krejtësisht e kundërta.
Që do të thotë?
Që do të thotë se unë do të qëndroj te Lacio minimalisht edhe për sezonin e ardhshëm. Jemi duke biseduar me klubin dhe gjithçka thuajse është e mbaruar. Madje ka shumë mundësi që ta rinovoj kontratën edhe për dy vite të tjera, jo për një. Megjithatë të shohim, sepse nuk duhet të dalim në konkluzione para kohe.
A do të ketë ndryshime për sa i përket anës financiare të kontratës?
Jo nuk do të ketë. Do të rinovoj me kushtet që kam tani në këtë aspekt. Drejtuesit e Lacios kanë rënë parimisht dakord dhe unë mendoj se gjithçka do të përfundojë me sukses.
Gjatë këtyre tre viteve ju nuk keni pasur shumë hapësira te Lacio. Nëse do t’ju vinte një ofertë nga një tjetër klub i Serisë A ku mund të luanit më tepër, a do të largoheshit?
Jo, nuk do të largohesha. Lacio është zgjedhja ime primare dhe kam ndërmend ta mbyll këtu karrierën time si futbollist. Është një klub i madh ku unë ndihem shumë mirë.
Megjithatë vitin tjetër Lacio rrezikon të mos marrë pjesë në Kupat e Evropës. Ky do të ishte një minus i madh?
Ne kemi ende shpresa. Sepse nëse fitojmë Kupën e Italisë, atëherë mund të marrim pjesë në Kupën UEFA. Jemi përqendruar maksimalisht atje, sepse ky trofe do të na shpëtonte sezonin. Nëse kalojmë Interin, jemi të bindur se mund t’ia dalim përballë Romës.
Flitet që do të ketë shumë ndryshime te skuadra juaj sezonin tjetër?
Po, e vërtetë është. Do të ketë shumë ndryshime pasi drejtuesit kanë një projekt të qartë. Të gjithë jemi të bindur se sezonin e ardhshëm do të jetë një Lacio krejt ndryshe. Këtë vit gjërat na ecën shumë keq në kampionat, pasi skuadra nuk arrinte të mobilizohej si duhet dhe gradualisht ra interesi në kampionat. Tani vetëm Kupa e Italisë mund të na e shpëtojë sezonin. Sezonin tjetër do të ketë edhe përforcime në skuadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›