E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk ka koalicion as me LSI, as me PS

Kreu i demokratëve thekson se deklarata e Topallit nuk ka lidhje me aksidentin, por ka prekur Ramën
Nga ambientet e vilës qeveritare në Vlorë, Kryeministri Berisha është shprehur se do të bënte koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim aq sa do të bënte me Partinë Socialiste, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërsa sheh si të arsyeshme koalicionin me aleatët e tij. Në lidhje me rezultatin e këtyre votimeve, kryeministri Berisha u shpreh se do të pranojë çdo rezultat për shqiptarët, duke i ftuar ata të votojnë veçmas në qendrat e votimit, jo familjarisht. Gjatë një emisioni televiziv, kreu i qeverisë ka hedhur poshtë dyshimet se vrasja e kreut të PDK-së Aleks Keka është një vrasje politike. Sipas tij, kjo vrasje nuk ka as elementin më të vogël të karakterit politik, por deri sot ka zero element politik. Nëse një funksionar i një parti pëson një aksident apo një vrasje quhet politike, kjo është qesharake.Cili është elementi politik i saj? Nuk ka gjë më të shëmtuar sesa të përdhosësh një të vdekur. Është njëlloj sikur ne të themi se po shkonte për të takuar Ndokën, sikur ne të thoshim që ai që e thirri ai e nxori në pritë, politika nuk mund të udhëhiqet nga gjëra të tilla, nënvizoi Berisha. Në lidhje me deklaratën e nënkryetare së PD-së, Jozefina Topalli dy ditë para ngjarjes, Berisha theksoi se nuk ka asnjë ligj në botë midis kësaj deklarate dhe vrasjes, ku sipas tij deklarata e Topallit nuk mund të ketë lidhje me aksidentin. Ka një lidhje, atyre që iu dogji kësula, Ramës i ka djegur kësula, sepse ajo e goditi Edin në pikën e tij më të dobët, në lidhjen familjare me të shkuarën e komunizmit. Reagimin e bëri Rama. Përpjekjet për të lidhur vdekjen tragjike me një denoncim të krimit të komunizmit të Ramës është fatkeqe, vijoi Berisha. Në këtë kontekst, ai shtoi se ka një qëndrim të vetëm në fjalët e Topallit dhe fjalët e tij duke shtuar se në një akt përgjegjësie të plotë, morale, Mediu dha dorëheqjen dhe u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. Nëse do të pranohet ose jo Mediu në qeverinë e ardhshme të së djathtës, nëse kjo forcë politike fiton zgjedhjet e 28 qershorit, Berisha theksoi se një gjë e tillë varet nga Partia Republikane. Por, kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se edhe pse PR është aleati i Partisë Demokratike, ai i bën thirrje shqiptarëve që të votojnë 10-tën dhe vetëm PD-në. Kjo është thirrja ime shumë e prerë dhe këtë e kanë pranuar aleatët tanë, të cilat janë anëtarë të një koalicioni elektoral, por edhe qeverisës, në bazë të kontributit që kanë, nuk ua injoroj kontributin. Por thirrja ime e prerë për çdo anëtarë dhe aktivist, është të votojnë 10, të votojnë Partinë Demokratike ka theksuar Berisha. Kryeministri shqiptar ka hedhur poshtë idenë e krijuar se mes tij dhe ish kryeministrave socialist ka një pakt për fushatë kundër Ramës. Absolutisht jo, të dyja variantet janë eksponent të së majtës, problemet e tyre janë brenda partisë.  Nuk ekziston asnjë lloj aleance mes Metës dhe Nanos, vijoi Berisha. Në këtë kontekst ai ka nënvizuar se e majta nuk mund të mos krijojë probleme, duke veçuar si problemin më madhor dhe historik, atë të mos kandidimit të Ramës për deputet. Sipas tij, ky sistem ka një kusht ku në krye të listës duhet të jetë kryetari i partisë, ku këtu ka shtuar se ata që Rama ka përreth përfshi vet atë kanë qenë në partinë e tij. Përsa i përket pretendimit të opozitës se e djathta opozitare do të manipulojë votat e qytetarëve të thjeshtë, duke veçuar këtu fotografimin e votës me celular, Berisha theksoi se këto janë hamendësime të nxjerra nga arkivi i Ramës. "Vota e shqiptarëve do të numërohet kësaj radhe më transparente dhe më bukur se kurrë në ndonjë vend, do të numërohet përpara kamerave elektronike, një sistem i përkryer" ka theksuar Berisha. Në këtë kontekst ai ka nënvizuar se e djathta shqiptare është zotuar për një proces zgjedhor të ndershëm, duke veçuar këtu edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve nga mbarë bota. Ndërsa për shpërndarjen e sms qytetarëve shqiptarë, Berisha e ka vlerësuar pozitiv një veprim të tillë, por që e ka distancuar financimin e tij nga qeveria shqiptare. Krahas mitingjeve dhe shesheve kam zhvilluar edhe fushatën individuale me të rinjtë me grupe. Këtë vit risi e madhe ka qenë komunikimi me sms. Është një raport shumë i madh. Fatura do të paguhet nga Partia Demokratike, nuk mund ti ngel borxh kujt. Ai është numër me 67 numri im është me 69, nuk ka asnjë qindarkë të paguar nga qeveria. Do të deklarohet në KQZ, sepse janë kompanitë që i kanë të gjitha mesazhet që nuk mund të jenë qeveritare. Kostoja e tyre edhe në PD është shumë herë më e ulët se grupet e këngëtarëve të bashkisë së Tiranës, shtoi kreu i qeverisë shqiptare. Nëse ditën e votimit, qytetari shqiptar do të kërkojë të tërheq kartën e votimit, një gjë e tillë nuk mund të ndodh, pasi kreu i qeverisë theksoi faktin se ata që kanë ndërmet të votojnë nuk mund të ndërpresin ditën e zgjedhjeve për të tërhequr kartën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›