E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama premton legalizimet në Allias dhe Kashar

Kreu i PS Edi Rama ka vizituar derë me derë banorët e zonës së Kasharit dhe Alliasit, duke i premtuar atyre se pas zgjedhjeve kjo forcë do të përfundojë procesin e legalizimeve dhe do të sistemojë të gjithë infrastrukturën e këtyre zonave. Në këtë drejtim ai ka hedhur kritika të ashpra ndaj kundërshtarit politik, njëkohësisht dhe kryeministrit Berisha, duke theksuar se ai ka pasur kohë për të bërë legalizimet, por ka menduar për hallet dhe punët e veta. Premtimi ishte në një vit do ti legalizoj të gjithëve, pas 4 vjetësh nuk i ka legalizuar. Ja la në dorë Shabanit fatin tuaj, se vet u mor me fatin e shtëpisë së vet. Unë ju them se do ti legalizojmë dhe do ti përmirësojmë të gjitha kushtet e jetesës, infrastrukturës dhe të gjitha dhe nuk do tia lëmë më Shabanit të radhës, por do ta drejtoj unë këtë punë, iu drejtua Rama njërit prej banorëve të kësaj zone. Lideri i socialistëve ka shpërndarë derë më derë planin e tij të qeverisë socialiste, nëse kjo e fundit do të dal fituese në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjithashtu Rama ka premtuar se investimet e mëdha nuk do të mungojnë në asnjë nga zonat rreth kryeqytetit, të cilat do të bëhen burim të ardhurash për banorët. Ne angazhohemi të përfundojmë procesin e legalizimeve dhe të ndërtojmë infrastrukturën rrugore për zonat informale të njësisë, si edhe të plotësojmë nevojat për çerdhe, kopshte e shkolla, të rikonstruktojmë rrugët, të sigurojmë furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë zonën informale të njësisë, nënvizoi kreu i socialistëve. Kreu i PS premtoi se pas fitores së 28 qershorit do të zgjidhen të gjitha problemet e qytetarëve për strehimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›