E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olja Ivanjicki e cilësuar si "vajza e Leonardo Da Vinçit'' ndahet nga jeta

Është ndarë dje nga jeta piktorja serbe, Olja Ivanjicki, e cila krijoi në fund të viteve '50 lëvizjen avangardiste, e para e këtij lloji në ish-Jugosllavinë titiste, bëjnë të ditur mediat serbe. Me mbështetjen e të rinjve intelektualë dhe artistëve, Olja Ivanjicki krijoi në vitin 1959 lëvizjen avangardiste ''Mediala'', e para e këtij lloji në ish-Jugosllavinë komuniste. Pikturat e saj, një përzierje e guximshme e pop artit dhe simbolizmit bënë që kritiku britanik i artit, Sue Hubbard t'i cilësojë në një vepër të tij "vajza e Leonardo Da Vinçit''. Veprat e Olja Ivanjicki u ekspozuan në mbarë botën. Olja Ivanjicki ishte jo vetëm piktore, por gjithashtu skulptore, arkitekte, poete dhe shkrimtare. Piktorja Olja Ivanjicki lindi në 1931, në Pancevo, pranë Beogradit në një familje emigrante ruse që u vendos në Serbi pas revolucionit rus. E diplomuar në Akademinë e Arteve në vitin 1957, ajo studioi gjithashtu në Francë, Spanjë, Itali, Angli si dhe në SHBA.
     

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›