Ngatërresa e Flamurit mes Rosinantit dhe Ponit
Antena brenda familjes
Kryeministri, Sali Berisha, dje po kalonte një nga ato ditët e tij të paqeta.
I mbyllur në zyrë vetëm shkumëzonte dhe bërtiste nëpër telefona dhe korridore duke bërë që gjithë bashkëpunëtorët e tij të strukeshin nëpër zyra dhe tualete, derisa t’i kalonte kriza.
Mbasi piu një ilaç me pika që e mban në sirtar dhe e përdor në raste të tilla, duket se u qetësua pak dhe sekretarja më në fund mundi të marrë vesh shkakun e krizës së radhës.
Shkak për të shpërthyer kriza kishin shërbyer disa kronika të televizioneve për kartat e identitetit dhe radhët e gjata në postë, të shkaktuara prej mungesës së kuponëve në treg.
Flamuri, që arriti i pari, priti në paradhomë duke ndjekur këshillën e sekretares, sa t’i binte tërbimi, para se të futej brenda.
Përtej derës me sfungjer për të mbytur zhurmat dëgjohej zëri i kryeministrit që s’dihej në fliste në telefon me dikë apo fliste me vete.
- Jo, se ta them unë ty. Jo zotëri, e di mirë unë. Jo, se për mue s’ka problem. Ta them unë ty, se e di mirë unë.
Kur mbaruan gjysma-fjalitë pa lidhje, hapi vetë derën dhe kur pa Flamurin, e thirri brenda.
- Po dështojmë me kartat e identitetit. Po presin njerëzit, po iu rikujtojmë radhët dhe do thonë pastaj edhe ky është si Enveri. Jo, se ua them unë atyre. Nuk është ashtu siç mendojnë ata.
- Po nuk i ka prodhuar ende kompania që ka fituar tenderin…?
- Lëre kompaninë, e di unë, po qe për ata, e çojnë procesin 10 vjet. Duhet të marrim masa t’i prodhojmë vetë.
- Po nuk na lejohet zoti kryeministër…
- Lëre se nuk e di ti. Të them unë që mund të prodhojmë.
- Duhet zbutur efekti mediatik. Bëj një deklaratë dhe jepja ta lexojë Gerti Bogdani.
- Jo, jo Gertit, se duhet ta ruajmë, se na duhet për zgjedhje. S’gjen më si ai. Deklaratën ta lexojë Rosinanti. Ik tani se kam punë.
Doli Flamuri dhe ishte krejt i hutuar. Kush dreqin qe ky Rosinanti që duhet t’i jepte deklaratën për ta lexuar e të bënte përgënjeshtrimin.
Pyeti sekretaren, po as ajo s’njihte ndonjë Rosinant.
- Mbase është ndonjë nga këta të jashtmit e Bankës Botërore, të pyes njëherë.
Telefonoi, po askush nuk e njihte Rosinantin, as në BB, as OSBE.
- Me këta është dhe punë dreqi, se s’di as anglisht. Si t’ua shpjegoj që e do ai burri me patjetër?
Bëri dhe ca telefonata të tjera, por pa asnjë rezultat, nuk e njihte njeri Rosinantin dhe i mbeti deklarata në dorë.
Kur i kishte humbur shpresat, pa në rrugë Besnik Mustafajn. Ky duket se lexon libra, tha. Ta pyes njëherë.
- Ore kush është ky Rosinanti, se më ka dhënë një porosi ai burri?
Ai filloi të qeshte.
- Nuk është njeri, - i tha Besniku, - është kalë. Është kali i Don Kishotit.
- Rrofsh se me shpëtove, tani e kuptova. E ka pasur fjalën për Ferdinand Ponin, - tha, - se Poni do të thotë Kalë. Do jetë ngatërruar nga emri apo nga era, ç’rëndësi ka kjo.
Mbasi doli Poni në TV dhe i mbajti njerëzit me gajret, e telefonoi prapë ai burri.
- Bravo Flamur, shumë të mirë e kishte këtë deklaratën Rosinanti. Jo po ta dinë mirë ata. Se ua them unë, se e di mirë unë….
Vetëm atëherë Flamurit i erdhi gjaku në vend. Iku duke qeshur me vete dhe të parit që e pyeti pse qesh, ia ktheu:
Sot gjeta Rosinantin. Më duhet të gjej dhe Don Kishotin tani që ia hipën kalit mbrapsht.
Pastaj filloi të vërshëllente motivin e vargjeve të Fan Nolit: këtu dergjet Rosinanti/ ishte me interesanti/ nga çdo gomar që kulloti/ barin që kish bërë Zoti/ këtu dergjet Don Kishoti/ ish i mirë e ish i zoti/ botën prapa desh ta kthente…