E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori i Gërdecit jep dorëheqjen

Nga NOA

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtylla, ka vendosur të japë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra që mban. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka konfirmuar se drejtori i Hetimeve në institucionin që ajo drejton, i ka paraqitur një letër dorëheqjeje nga detyra drejtuese që mbante. Gjithashtu, sipas konfirmimit të zonjës Ina Rama, Shtylla ka kërkuar dhe largimin e tij nga grupi i hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë, vetë Zamir Shtylla, në letrën që ka nënshkruar sot dhe ia ka dërguar kryeprokurores, Ina Rama, tregon kërkesat që ka ndaj saj. “Jap dorëheqjen dhe kërkoj që kjo dorëheqje të kihet parasysh nga ana juaj, si drejtor i Drejtorisë së Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, kërkoj të pranoni largimin tim nga grupi i prokurorëve të ngjarjes së Gërdecit, e ndodhur më 15 mars 2008”, - thuhet në letrën e Shtyllës. Konfirmohet se Shtylla nuk ka dhënë motivacion në letrën e firmosur prej tij lidhur me shkaqet që e çuan në dorëheqje. Ndërsa lihet të kuptohet nga letra, se Shtylla mbetet prokuror i thjeshtë, pra largohet vetëm nga funksionet drejtuese. Vendimi i Shtyllës besohet se ka ardhur pas sulmeve që i kanë ardhur kohët e fundit dhe denoncime të disa ish-të përndjekurve që thanë se ai ka qenë ndër personat që ka keqtrajtuar shtresat “rebele” kundër regjimit diktatorial. Në fakt, dorëheqja e Shtyllës i paraprin zbatimit të ligjit për “Dosjet”, i cili pritet të hidhet në veprim gjatë javëve që vijojnë, pasi nuk u dekretua nga presidenti dhe për rrjedhojë mori fuqi ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›