Topi hesht, hyn në fuqi ligji për lustracionin
Presidenti i Republikës ka zgjedhur që të heshtë në lidhje me ligjin e shumëdiskutuar për lustracionin, duke mundësuar kështu që ligji të hyjë në fuqi. Presidenti nuk është shprehur për këtë ligj, duke zgjedhur kështu një rrugë të mesme. Një ditë më parë ai kishte takuar disa përfaqësues të të përndjekurve që kishin shprehur rezerva në lidhje me ligjin, duke theksuar sidomos se në kategoritë e lustracionit nuk përfshiheshin shumë zyrtarë politikë të asaj kohe, e që aktualisht kanë poste të rëndësishme politike.
Ligji për lustracionin hasi në një kundërshtim shumë të ashpër ndërkombëtar. Përfaqësitë e huaja në Tiranë u shprehën kundër tij, duke theksuar se ai krijon problem kushtetues. Këshilli i Evropës deklaroi se ligji më shumë do hapë padrejtësi se sa do t’i zgjidhë ato. Amerikanët ishin më të vendosur në qëndrimin e tyre kundër ligjit. Edhe juristë të huaj, gjermanë dhe amerikanë, njohës të mirë të ligjeve të tilla, e quajtën ligjin absurd, të pazbatueshëm, për shkak se bie ndesh me Kushtetutën. Sipas tyre, ligji nuk do të zgjidhë një problem shumë të rëndësishëm për vendin tonë. Të huajt kanë ngritur dhe shqetësimin se pse një ligj i tillë hapet pas kaq shumë vitesh, ndërsa vetë kryeministri, duke sulmuar nominalisht emra gjykatësish e prokurorësh që kanë në dorë çështje të nxehta të qeverisë së tij, ka theksuar se ligji bëhet për të nderuar viktimat e komunizmit.
Socialistët fillimisht nuk ishin të ashpër në qëndrimin e tyre kundër ligjit për lustracionin. Disa nga eksponentët kryesorë të së majtës, që në atë kohë ishin funksionarë të lartë, shpëtonin nga ligji në fjalë. Por, falë dhe presionit të madh ndërkombëtar, socialistët u shprehën kundër ligjit, duke e kundërshtuar atë bashkë me ligjin për prokurorinë. Por më pas qëndrimi i tyre ndryshoi për sa i përket prokurorisë, por nuk pati ndryshim në lidhje me qëndrimin për ligjin e lustracionit. Socialistët u shprehën se ligji do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, institucion ky që preket nga vetë ligji. Një nga juristët e së djathtës, avokat Spartak Ngjela, e quajti ligjin një vetëvrasje, edhe pse tha se do votonte pro tij. Sipas tij, Kushtetuesja do e rrëzonte atë.
Frika se ligji mund të përdorej për të goditur gjykatës dhe prokurorë solli reagimin e ashpër të ambasadës amerikane në vendin tonë dhe më pas ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried, komunikoi me kryeministrin tonë mes të tjerash dhe për këtë çështje. Berisha fillimisht e mohoi këtë bisedë, por më pas u detyrua të bëjë dredhi duke u fshehur pas ditës se kur e kishte bërë këtë bisedë.
Mazhoranca nisi një periudhë të gjatë presioni ndaj kryeministrit që ligji të dekretohej. Fillimisht ata e sulmuan personalisht presidentin në lidhje me dekorimin e një prokurori të periudhës komuniste. Vetë Topi e quajti këtë vendim si një gabim e tha se ai do rishikohej dhe nuk kishte aspak lidhje me moralin e tij. Më pas mazhoranca nisi që të mbledhë reagime nga grupe të ndryshme shoqërore që kërkonin dekretimin e ligjit. Që nga Amerika mbërriti një reagim nga “Vatra”, për të cilin u kujdes personalisht Kryeministria. Më pas grupime të përndjekurish e madje dhe studentësh u dërguan para Presidencës për të protestuar në favor të dekretimit të ligjit. Si kurrë ndonjëherë, disa studentë të keqpërdorur u panë para Presidencës duke kërkuar dekretimin e një ligji, për të cilin asnjëri nuk kishte informacion të saktë se çfarë ishte. Deri në orën 16 të ditës së djeshme, presidenti kishte të drejtën ligjore të shprehej ose të heshtte. Ai zgjodhi heshtjen.