LZHK mbështet Topin për të përndjekurit dhe pronarët
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar mbështet qëndrimin e presidentit në përkrahje të ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë, duke denoncuar, sipas saj, tentativat e mazhorancës për denigrimin e institucionit të Presidentit.
“Për herë të parë kemi një president që del në përkrahje të kategorisë së të persekutuarve dhe ish-pronarëve. Një pjesë e politikës, një pjesë e medies dhe qeveria kërkon ta denigrojë figurën e presidentit. Këto janë vetëm pjesë e klanit dhe klikës së komunizmit”, - u shpreh Shehi.
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme LZHK do të ofrojë deri në 50% gra në listat e veta. Për këtë LZHK në bashkëpunim me Qendrën për Përgjegjësi të Barabarta, promovon projektin “Drejtësia 1 Euro”.
Fondet e grumbulluara nga donacionet në llogarinë bankare të projektit apo nëpërmjet sms-ve me vlerë një euro, do t'i jepen kryeministrit të ardhshëm për krijimin dhe funksionimin e një Komiteti Ndërministror Kundër Diskriminimit.