Berisha: Nuk negocioj për KQZ-në, Rama të kthejë anëtarët
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar mbrëmë nga selia e PD se nuk do ketë asnjë negociatë në lidhje me çështjen e KQZ-së. Berisha i ka bërë thirrje Ramës që të kthejë anëtarët në KQZ sepse nuk do ketë asnjë ndryshim në ligj apo në institucione.
Ai kurrë nuk mund të rrijë dy muaj pa i shkaktuar një humbje vetes së tij. Po të studioni ecurinë e tij, trajektoren e tij, ai ka për borxh të krijojë dhe të nisë çdo dy muaj beteja që janë të humbura që në fillim për të. Ndaj dhe i them: kthe sa më shpejt anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve.
Sikundër, dua të dënoj lojën që bëri me përfaqësuesin e partisë së minoriteteve. Ajo që i ndodhi Jani Janit, as në romane nuk lexohet. E ngrinë, e shkrinë, e përzunë dhe sot doli KQZ-ja, në kundërshtim me respektin që duhet të tregohet për pakicat, ia zuri të gjitha vendet partisë së Janit. Pra viktima e pamerituar e këtyre zgjedhjeve është i ndjeri politik Jani Jani. Në atë kamp ndodh çdo gjë. Megjithatë, ato janë çështje të tyre. Ne nuk duhet tu ndërhymë dhe nuk do ti ndërhymë, tha Berisha./ep