Raporti, politikanët dhe zyrtarët fshehin pasurinë duke e kaluar në emër të familjarëve
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, e drejtuar nga Sami Neza, prezantoi dje raportin që përfshin kontrollin e deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë, politikanët, drejtuesit kryesorë të pushtetit lokal, gjyqtarëve në të gjitha shkallët e Gjyqësorit dhe prokurorëve. Në këtë raport verifikohej fakti se në përgjithësi politikanët dhe zyrtarët e lartë fshehin pasurinë e tyre duke e kaluar atë në emër të familjarëve. Për hartimin e raportit janë kontrolluar dhe verifikuar 119 deklarata të zyrtarëve nga rreth 4500 zyrtarë në të gjithë vendin, që janë të detyruar me ligj të deklarojnë pasurinë e tyre dhe të kontrollohen lidhur me situatat e mundshme të konfliktit të interesit. Janë seleksionuar 24 deputetë dhe ministra, ose 17 për qind e tyre; 34 zyrtarë të lartë të administratës publike, kryesisht drejtues të rëndësishëm të institucioneve, ndër ta edhe doganierë, tatimorë, regjistrues pasurie etj; 31 zyrtarë të pushtetit lokal, kryesisht kryetarë bashkish të qyteteve të mëdha apo bregdetare, si dhe komunave bregdetare apo që rrethojnë qytetet e mëdha; 30 gjykatës dhe prokurorë nga të gjitha shkallët e Gjyqësorit dhe Akuzës, ose 5 për qind e numrit total të gjykatësve dhe prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në të gjithë vendin. Janë zgjedhur një numër i madh deputetësh dhe gjykatësish për shkak se kjo kategori e zyrtarëve janë më pak të prekur nga kontrolli i detyruar që është kryer në vite prej ILDKP-së. Kontrolli është bërë mbi deklaratat progresive, pra për të gjitha deklaratat dhe ndryshimet e tyre përgjatë viteve 2003-2008. Nga verifikimet ka rezultuar se vazhdon mosdeklarimi i pasurive informale, mosdeklarimi i bilanceve për ata që kanë biznese private, ose kur këto të fundit deklarohen. Qendra për Transparencë konsideron vendimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive për zgjerimin e rrethit të familjarëve të zyrtarëve me detyrim deklarimin e pasurisë si një hap të mirë për të evidentuar rastet e përfitimit apo vënies së pasurisë nëpërmjet abuzimeve apo konfliktit të interesit. Në rastin e gjykatësve dhe prokurorëve numri i tyre me raste të transferimit të pasurisë është i konsiderueshëm. Bie në sy se transferime të tilla nuk kanë logjikë financiare dhe perceptohen si një ndryshim krejt formal marrëdhëniesh të pronësisë mbi pronën me qëllim fshehjen e tyre nga detyrimi për deklarim. Zyrtarët lokalë janë të përfshirë në një masë të madhe në biznese private që zhvillohen në territorin ku ata kryejnë detyrat publike. Këtë biznes pjesërisht e kanë në konflikt interesi me shërbimet që ata ofrojnë për qytetarët dhe pjesërisht vetë biznesi i ndihmon ata për të bërë karrierë në politikën lokale. Pas marrjes së postit të tyre ata nuk janë ndarë nga ato biznese, nuk deklarojnë të ardhura korrekte për biznesin që ata kryejnë. Kjo shton mundësitë e abuzimit të tyre me pushtetin që zotërojnë. Ka raste të marrjes së kredive pa justifikim çfarë do të thotë se është e nevojshme një bashkëpunim për raste të tilla me drejtorinë e luftës kundër pastrimit të parave. Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë i ka paraqitur të dhënat Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe ky institucion po heton rastet e konstatuara në këtë raport që kanë abuzuar me ligjet.
26 Tetor 2009