Thellohet përçarja në PBDNJ, pas minoritetit, edhe elita partiake kërcënon me krijimin e një poli të ri politik

TIRANE - Thellohet edhe më shumë përçarja në radhët e drejtuesve ndërmjet anëtarëve të Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Vendimi i kryetarit Dule, për t’u pozicionuar majtas, ka provokuar reagime të ashpra, jo vetëm në bazë, por edhe në strukturat e saj drejtuese. Kristo Goxhi, anëtari i Këshillit Kombëtar të PBDNJ-së tha për mediat se brenda pak ditësh do të formohet një pol i ri në këtë parti që do të përfshijë të gjitha minoritet në vend. “Ne jemi duke negociuar me të gjithë faktorët në Shqipëri dhe jashtë saj me të gjithë emigrantët që janë larguar që të marrim fatet tona në dorë dhe të ndërtojmë polin tonë. Asnjëherë nuk është vonë. Poli ynë do të kërkojë të unifikojë të gjitha përçarjet e deri tanishme në PBDNJ”, tha Goxhi.
Sipas tij, Vangjel Dule, nuk e meriton më të jetë de facto të jetë kryetar i PBDNJ-së, pasi të gjitha vendimet e marra nga ai kanë qenë në kundërshtim me politikën dhe rregullat e brendshme të funksionimit të PBDNJ-së. “Ky ishte edhe akti i tij i fundit në Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në fund të fundit kryetari i kësaj partie, me vendimin që mori përpara disa, por që e kishte marrë më kokën e tij që para disa vjetësh, përfundimisht de facto është vetëshkëputur nga partia e tij”, u shpreh më tej Goxhi.
Kalimi i PBDNJ-së në kampin e majtë politik është kundërshtuar edhe nga kryetari i Omonias për Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili ka kërkuar edhe heqjen nga lista të emrit për kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit.