“Reformat e qeverisë, çelësi që hapi derën e NATO-s për Shqipërinë”

Berisha takon ish-zëvendëssekretarin amerikan të Mbrojtjes Gordon Richard England
TIRANE - Ish zëvendëssekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Gordon England u shpreh dje se reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare nën udhëheqjen e kryeministrin Berisha ishin çelësi që hapi derën e NATO-s për Shqipërinë.
Gjatë takimit me kreun e qeverisë shqiptare Sali Berisha, England deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u krye shumë më shpejt nga çfarë mund të imagjinonte shumëkush prej nesh dhe kjo falë reformave të mëdha zoti Berisha dhe qeveria shqiptare realizuan me sukses.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen mikut amerikan, kryeministri Berisha i shprehu atij mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe kontributin që ish-zëvendëssekretari England ka dhënë për integrimin e Shqipërisë në NATO por edhe reformat e thella e të rëndësishme për transformimin dhe modernizimin e forcave të armatosura shqiptare. Gjithashtu Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të rishpreh mirënjohjen për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, disa administrative amerikane dhe kombin e madh mik amerikan pa të cilët realizimi i këtij projekti nuk do të qe i mundur.
Ish-zëvendëssekretari England e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha, për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i uroi atij nga thellësia e zemrës arritjen historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ish-zëvendëssekretari England vlerësoi se reformat e gjithanshme e të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare nën udhëheqjen e kryeministrin Berisha ishin çelësi që bënë të mundur hapjen e derës së NATO-s për Shqipërinë.
“Kjo ngjarje historike, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u krye shumë më shpejt nga çfarë mund të imagjinonte shumëkush prej nesh dhe kjo falë reformave të mëdha që ju, zoti Berisha dhe qeveria shqiptare realizuat me sukses”, ju shpreh ish-zëvendëssekretari England kreut të qeverisë Berisha.
Më tej, England vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në vend dhe dinamizmin e madh që vërehet në ekonominë shqiptare dhe në zhvillimin e vendit duke u ndalur, në veçanti, ne veprat e mëdha infrastrukturore si Rruga Durrës-Morine apo rruga e bregdetit të jugut.
“Jemi jashtëzakonisht të impresionuar me punën që po bëni, jemi të impresionuar me Shqipërinë dhe popullin tuaj”, përfundoi England.