E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Opozita e Ramës të zbresë nga kulla e Fidelit dhe të shohë Shqipërinë e ndryshuar

Shefi i ekzekutivit, nga kalaja historike e Petrelës, shembull i mbrojtjes së fortë ndaj sulmeve të ushtrisë otomane gjatë shekullit të 15-të, i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga nihilizmi dhe të zbresë në terren për të prekur nga afër ndryshimin e Shqipërisë


Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar edhe njëherë publikisht opozitës shqiptare, të dalë në terren dhe të prekë ndryshimin e Shqipërisë. Gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të komunës Petrelë në Tiranë, shefi i ekzekutivit shqiptar iu referua investimeve të mëdha të qeverisë, duke i cilësuar ato si baza për arritjet e vendit. Përmes një fjalimi në kalanë e Mamicës në Petrelës, Berisha theksoi se investimet në infrastrukturë janë rritur ashtu si janë shumëfishuar potencialet ekonomike të Shqipërisë, por në vështrim të kundër qëndron roli i opozitës. Berisha tha se qeveria shqiptare ka ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë në gjithë vendin. Ai theksoi përsëri se revista prestigjoze “Newsweek” e cilësoi Shqipërinë një prej 100 vendeve ku jetohet më mirë. “Në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Reformat e thella bënë të mundur shumëfishimin e investimeve. Këto 5 vite në epiqendër të investimeve vendosëm sistemin arsimor”, theksoi kryeministri. Sipas tij, sistemi shëndetësor njohu reforma të thella. Duke iu drejtuar opozitës, Berisha tha se duhet të shohë nga afër Shqipërinë që po ndryshon. “Ftoni Ramën dhe jepini një kafe këtu në kafenetë tuaja që të prekë nga afër realitetin. Të dalin opozitarët nga kullat e Fidelit e të shohin Shqipërinë që ndryshon çdo ditë. Ftoj opozitën të heqë dorë nga nihilizmi”- tha Berisha. Në këtë aspekt, kryeministri solli në vëmendje sulmet e PS-së ndaj korridorit të kombit, ndërsa u kërkoi t’i kërkojnë të falur të gjithë shqiptarëve për akuzat e pabaza. “Ata që u përpoqën të demonizojnë korridorin e kombit i ftoj të shkojnë tek tuneli i saj, të kërkojnë të falur, jo Sali Berishës, se unë i kam falur, nuk jam hakmarrës, por t’i kërkojnë të falur tunelit, sepse lënduan kombin me sulmet ndaj tij. Ju duhet ta dini se janë me dhjetëra e dhjetëra djem që mbajnë emrin Kalimash. Shqiptarët e kanë përjetuar tunelin dhe rrugën si rilindje të dytë për ta”- vuri në dukje Berisha. Kreu i qeverisë garantoi banorët e komunës Petrelë për vëmendje të veçantë nga qeveria. “Qeveria ka në vëmendje qytetarët dhe pikërisht përmes politikave sociale u arrit të dyfishohej ndihma ekonomike për familjet në nevojë, ndërsa është shumëfishuar nënvizoi ai edhe numri i studentëve në Universitet shqiptare këto 5 vjet. Do mbështesim projektet për Petrelën, do mbështesim Kryetarin e Komunës, në të gjitha projektet, që ta bëjnë Petrelën, një vend të vizituar nga turistë nga mbarë bota”, tha kryeministri Berisha. Duke folur për turizmin, kryeministri informoi për bumin e vizitorëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa theksoi se kjo është bërë e mundur falë investimeve të qeverisë. “Qëllimi i kësaj konference është edhe një herë turizmi, që njohu hovin më të madh në historinë e vendit. Të dhënat janë të papërmbajtshme. Në rast se shihni numrin e turistëve në vitin 2009, vit kampion në llojin e tij, me vitin 2010, vetëm në aeroportin e Rinasit, nga 1 qershori deri dje, kanë lëvizur mbi 100 mijë qytetarë, 30 mijë më shumë, sesa një vit më parë. Rëndësia e turizmit është e jashtëzakonshme, sigurisht ekonomike, sepse ekonomia është ajo që përfiton më shumë. Por po kaq i rëndësishëm është për imazhin e vendit, që me këtë dyndje të madhe turistike ka bërë të mundur të publikohen me dhjetëra e dhjetëra shkrime në shtypin më serioz, të shprehet vlerësimi më i madh së pari, për qytetarët shqiptarë dhe mikpritjen e tyre, për bukuritë natyrore të këtij vendi dhe për gatimet shumë të mira të shqiptarëve” - deklaroi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›