E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Opozita në krizë, nuk përshëndeti firmën e Bushit”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryeministri Sali Berisha akuzon opozitën për shpifje dhe për mosvlerësimin e një seri arritjesh të Qeverisë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i Ekzekutivit vuri theksin tek ratifikimi i Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por gjithashtu akuzoi opozitën për manipulim të ngjarjeve. Në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri Berisha risolli në vëmendje vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka dhe qëndrimin e mbajtur nga të majtët. Sipas tij, askush më parë nuk ka thirrur një miting për të manipuluar të vdekurit nga një aksident automobilistik, sikurse bëri opozita. Reagimi i Berishës erdhi pas qëndrimit të përfaqësuesve të PS-së në Kuvend, të cilët thanë se nuk janë respektuar afatet lidhur me kërkesën e tyre për zhvillimin e mocionit me debat me Kryeministrin për çështjen “Fazliç”. Numri dy i deputetëve socialistë, Erion Braçe, theksoi se ata do të vazhdojnë të kërkojnë që kreu i Qeverisë të japë shpjegimet e duhura për këtë çështje.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha i mbërritur me vonesë në Kuvend ka kritikuar ashpër opozitën që nuk përshëndeti firmosjen nga Bushi të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Berisha tha se kjo është një ngjarje historike dhe tregon një marrëdhënie shumë të mirë të Amerikës me Shqipërinë, por sipas tij, kjo gjë nuk u vlerësua nga opozita, e cila bën publicitet demaskues. “Kolegë deputetë, ju gjej në një krizë të thellë. Ju nuk dini të bëni vlerësime. Në prill, ndërkohë që krerët e shtetit ishin thirrur në Kroaci nga presidenti Bush për të festuar anëtarësimin në NATO, Rama thirri mitingun e turpit duke ngritur flamujt e tij, por jo atë të NATO-s. Më 9 korrik, përfaqësues të 26 vendeve anëtare të NATO-s, bashkë me sekretarin Shefer firmosën Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë. Kurse ju u morët me llomotitje, nuk e përshëndetët”, - tha ai. Berisha pohoi më tej se në shtator opozita manipulonte të vdekurit dhe thërriste mitingje makabre. “Askush në botë nuk ka thirrur miting për të manipuluar të vdekurit. Edhe pasi ngjarja doli se ishte aksident, nuk kërkuat as ndjesë, si akti minimal që mund të bënit”, - është shprehur Berisha. Më tej Kryeministri ka vlerësuar edhe vizitën e djeshme në Tiranë të ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, i cili paralajmëroi liberalizimin e vizave. “Gjithashtu, dua të shtoj se sot është një ditë e madhe, pasi sot në Tiranë, ministri i Jashtëm italian u tha shqiptarëve se vizat do të liberalizohen në vitin 2009. Çfarë doni ju?”, - i është drejtuar Berisha opozitës.
Braçe
Reagimi i kreut të Qeverisë erdhi pas qëndrimit të ashpër të socialistit Braçe, i cili kërkoi shpjegime për çështjen “Fazliç”. Braçe ka rikujtuar edhe një herë mocionin për debat kërkuar më parë nga Partia Socialiste, duke shtuar se Kryeministri duhet të marrë guximin dhe të flasë për këtë çështje. “Ne nuk heqim dorë nga mocioni”, - ka thënë Braçe, duke akuzuar Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, se ka neglizhuar kërkesën e tyre duke shkelur edhe rregulloren. “Në Parlament nuk ka ndodhur ajo që parashikon rregullorja në nenin 98. Berisha na u betua se do të ishte seanca më transparencë e krimit, por prej asaj dite Berisha nuk është dukur më, përkundrazi është fshehur. Berisha është shumë i përfshirë në këtë çështje dhe ne e duam në debat. Ai duhet të vijë të tregojë përgjegjësinë e tij”, - shtoi ai. Braçe shtoi se PS është e shqetësuar për aktivitetin kriminal të Fazliçit, por është e shqetësuar për kapjen e shtetit dhe të agjencive ligjzbatuese të shtetit.

Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›