E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita po i kthehet realitetit politik

Gjatë audiencës, Berisha e informoi Princin e Kurorës mbi qëllimet e vizitës në Norvegji, duke vënë theksin te bashkëpunimi bilateral dhe kryesisht, në fushën e energjisë së rinovueshme, teknologjisë së informacionit dhe mbështetjen në programin e pyllëzimit që ka qeveria shqiptare.

Pasi vuri në pah marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Kryeministri theksoi se projekti i kaskadës së Devollit që po zbatohet nga kompania norvegjeze Statkraft, në bashkëpunim me kompaninë austriake EVN, është një tregues i qartë në këtë drejtim.

“Në përfundim të audiencës, Kryeministri e ftoi Mbretin e Norvegjisë si dhe Princin e Kurorës që të vizitojnë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit me kënaqësi”, sipas kryeministrisë së Shqipërisë.

Gjithashtu, Berisha zhvilloi një takim me zv/presidentin e Parlamentit,  Per-Kristian Foss. Ky i fundit, shprehu vlerësimin për programin e investimeve në infrastrukturë, kryesisht ato rrugore që qeveria shqiptare po zbaton. Ai theksoi se Shqipëria, me investimet në rrugë, është diskutuar si model edhe në parlamentin norvegjez.

Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe procesin e integrimit evropian. Kryeministri u shpreh se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Evropian.

Berisha nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit.

Ai siguroi bashkëbiseduesin se integrimi evropian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma. Në përfundim të takimit, zoti Per-Kristian Foss e shoqëroi Kryeministrin në një vizitë në ambientet e Parlamentit dhe në sallën e seancave plenare të tij./Start/

                                                                                             2011-11-15 10:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›