Berisha: Opozita të japë konsensus për ligjet bazë
Kryeministri Sali Berisha lajmëron futjen në një vit elektoral, siguron zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkon nga opozita garanci për bashkëpunim. Kur kanë mbetur disa muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, kreu i mazhorancës premtoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së zgjedhje të lira dhe ftoi opozitën e majtë që të japë konsensus për çështjet e reformës zgjedhore, e cila do të jetë prioritet. Kryeministri Berisha informoi se një punë e konsiderueshme është bërë në drejtim të kompletimit të infrastrukturës së domosdoshme për këtë qëllim. “Gjatë gjithë kësaj periudhe është punuar pandërprerë në sistemin e adresave, në sistemin e kartave të identitetit, në regjistrin e gjendjes civile, pra në të gjithë infrastrukturën e domosdoshme për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe ne mbetemi totalisht të përkushtuar në këtë aspekt”, - u shpreh z. Berisha. Këtë reformë, - siguroi ai, - jemi të vendosur ta bëjmë në bashkëpunim të plotë me opozitën. Por krahas kësaj, kreu i qeverisë zbardhi dhe axhendën e çështjeve më kryesore që do kalojnë në Parlament përgjatë sesionit të ri parlamentar. Berisha i bëri thirrje opozitës të japë konsensusin për ligjet më të rëndësishme që priten të miratohen gjatë sesionit të ri parlamentar. Ai i është drejtuar Ramës: “Mbaj një premtim të hershëm, për të dhënë konsensus për ligjet bazë”. Berisha veçoi si më kryesoret reformën zgjedhore, atë në sistemin e drejtësisë dhe reformat ekonomike. Të sapokthyer nga pushimet, në mbledhjen e tyre të parë për këtë sesion, deputetëve demokratë iu komunikua nga Kryeministri Berisha një paketë projektligjesh që duhet të marrin miratimin e tyre. Kryeministri iu rikthye çështjes së imunitetit dhe sërish ftoi kryesocialistin Edi Rama që të japë konsensus për këtë draft, i cili sipas tij, është edhe një kërkesë e ndërkombëtarëve. “Hezitimin e mëparshëm të opozitës e kam interpretuar si një ndrojtje të tyre se lufta kundër korrupsionit mund të përdorej për qëllime politike, por ne u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se nuk e kemi përdorur dhe nuk e përdorim këtë luftë për qëllime politike. Shqipëria e ka të domosdoshme heqjen e mburojës së imunitetit për cilindo zyrtar dhe qytetar të këtij vendi”, - tha Kryeministri. Kryeministri kërkoi që opozita të jetë bashkëpunuese edhe për ligjin e dosjeve. Kryeministri veçoi të një rëndësie të veçantë ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve publikë, duke e cilësuar atë si një hap me të cilin Shqipëria do të ndahet nga e shkuara e diktaturës. Para deputetëve të tij, Berisha tregoi arsyet pse u zgjodh modeli çek dhe modifikimet ndaj tij. Ai vuri në dukje se Shqipëria ka pasur diktaturën më të egër, të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës ish-komuniste. “Modeli që ne kemi përzgjedhur për këtë ligj nuk është as modeli gjerman, i cili përjashton nga detyra një numër të gjerë profesionesh, nuk është as modeli polak, i cili hap procese gjyqësore për të gjithë ata, të cilët kanë dënuar, hetuar për bindje politike, në secilin rast, nuk mund të jetë model dosido, sepse kjo është që të tallesh me popullin që pati rreth një të katërtën e qytetarëve të tij të persekutuar. Ndaj dhe u zgjodh modeli çek, me disa modifikime të diktuara nga koha dhe që janë normale”, - deklaroi z. Berisha. Një proces tjetër mjaft i atakuar nga e majta, ai për verifikimin e titujve të pronësisë, nuk është lënë jashtë vëmendjes së kreut të qeverisë. Z. Berisha tha se opozita mund ta monitorojë këtë proces edhe përmes ngritjes së një komisioni të posaçëm parlamentar.