E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi Leka: 1 shtatori, dita mbretërore e shqiptarëve

Princi Leka II Zogu, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “80-vjetori i Monarkisë Shqiptare (1928-1939)”, shprehu dje në emër të Familjes Mbretërore Shqiptare, "kënaqësinë, mirënjohjen si shenjë vlerësimi dhe respekti për 1 shtatorin, ditën e themelimit të Mbretërisë Shqiptare, një festë që iu takon të shqiptarëve, pa dallime partiake apo ideologjike, por edhe si një respekt për historinë e shtetit shqiptar”. “Familja mbretërore shqiptare e konsideron veten kontribuuese në shërbim të një kombi, i cili i ka dhënë mbarë njerëzimit figura që i nderon bota e qytetëruar e Perëndimit, që nga Skënderbeu, deri tek Nënë Tereza”, - tha princi Leka në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Monarkia Shqiptare 1928-1939”. Princi Leka shtoi se “familja mbretërore gjen rastin të përshëndesë të gjithë shqiptarët kudo që janë, për arritjet historike të vendit tonë, si një komb perëndimor, evropian dhe i qytetëruar, - duke shtuar se - dëshiroj të falënderoj dhe vlerësoj të gjitha ato qeveri, subjekte apo individë politikë, vendas apo të huaj, të cilët kanë vënë nga një tullë në këtë ndërtesë, që të gjithë e njohim dhe e respektojmë me një emër të vetëm, Shqipëri. Me rastin e 80-vjetorit të Monarkisë Shqiptare, në mjediset e hotel "Sheraton", në Tiranë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, si dhe Muzeu Historik Kombëtar, organizuan dje Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Monarkia Shqiptare 1928-1939”, e cila synon të hedhë dritë mbi këtë periudhë, ende të panjohur të shtetit shqiptar dhe të historisë shqiptare. 80 vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese, e zgjedhur nga votimet e 16 gushtit të atij viti, që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë, ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, nga republikë, që ishte deri në atë kohë, në monarki parlamentare, duke shpallur Ahmet Zogun, si Mbret të Shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›