E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisari: Ibraj më do ose të vdekur, ose të shkarkuar

07/01/2005  Kryeinspektor Ylber Duraku, ish-shef i komisariatit të Tropojës është ndjerë i befasuar dhe tronditur, kur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme ka marrë vesh, më së pari nga shtypi, se është i përjashtuar nga policia. "Hakmarrje personale e Bajram Ibrajt, konfliktet me të cilin kanë nisur gjashtë vjet më parë, pohon kryeinspektori, ky është motivi i largimit tim. Ai më donte ose të vdekur, ose të larguar nga policia". Deklarata e oficerit të policisë është në të vërtetë e rëndë për drejtuesin e Policisë së Shtetit. Duraku tregon për gazetën gjithë historinë e karrierës së tij, deri në përjashtimin e së martës në javën e parë të janarit.

Si e mësuat përjashtimin nga policia?

Jam vërtet i befasuar, pasi largimin nga detyra dhe përjashtimin nga policia i kam marrë vesh në mëngjes, nga lajmet e botuara në shtypin e përditshëm. Paskëtaj kam ardhur menjëherë në Tiranë për të mësuar më tepër.

Ju kishte lajmëruar më parë drejtori i Qarkut?

Jo. As ai nuk kishte dijeni se unë isha përjashtuar. Më tha shprehimisht se më kishin zëvendësuar, por për mua nuk kishte ardhur ende urdhri.

Pas emërimit shef komisariati në Tropojë, vjen masa ndëshkimore ekstreme, përse sipas jush?

Kjo është një hakmarrje personale e drejtorit të Përgjithshëm, Bajram Ibraj.

Çfarë ju shtyn të mendoni kësisoj?

Kam arsye të forta për këtë. Jam konfrontuar me Bajram Ibrajn vite të shkuara, përpara se ai të emërohej në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Konflikti vjen nga '99-ta, kur isha shef i komisariait të Kukësit, në kohën e krizës kosovare.

Si lindi kjo "mëri"?

Ibraj ishte i dërguar i posaçëm nga Ministria e Rendit Publik për të menaxhuar situatën. Përplasja erdhi për arsye kompetencash, pasi ai donte të merrte gjithçka në dorë në punën e policisë. Nga ana tjetër, unë vendosja për punën time, sipas asaj që më takonte si shef komisariati. Sigurisht që bindesha për atë që më kërkonte i dërguri i Ministrisë së Rendit, kur gjërat kërkoheshin konform ligjit. Por nuk ngjiste gjithnjë kështu. Ndaj nisëm të grindeshim.

Cila është karriera juaj në polici?

Kam 16 vjet në radhët e bluve. Gjatë karrierës sime kam shërbyer në të gjitha komisariatet e Veriut. Emërimi im në Tropojë, si shef komisariati, ishte një lloj hakmarrje apo ndëshkimi.

Çfarë kërkon të thuash me këtë?

Ibraj më donte ose të vdekur, ose të larguar nga policia. Me qëllim më emëroi në Tropojë, pasi e dinte se atje do të kisha konfrontime me eksponentë të caktuar. Kur mësova se po më nisnin për në Tropojë, reagova. Por, më kot, pasi emërimi nuk mund të kthehej prapa. Ai më ka bërë presion direkt dhe indirekt. Indirekt nëpërmjet drejtorit të Qarkut, Ylli Tafili, me të cilin unë kam pasur marrëdhënie korrekte në punë.

Çfarë ju ka thënë Bajram Ibraj?

Pak ditë pas emërimit në Tropojë, Ibraj më thirri në zyrën e tij. Ai më tha: "Do të qëndrosh në Tropojë, se e ke dosjen plot dhe nuk ke rrugë tjetër. Ka plot të tjerë që kanë më pak pisllëqe se ti në dosjen personale dhe janë përjashtuar me kohë nga policia".

A jua tha "mëkatet" që mbushnin dosjen tuaj?

Jo, asnjë shkelje për be. Unë di që kam një dosje të punës, si gjithë oficerët e policisë në detyrë.

Kur është zhvilluar ky takim?

Nuk më kujtohet me saktësi, por rreth datave 18 apo 19 tetor 2004. Pa dyshim që të gjithë kulisat që më janë inskenuar, janë punë e klanit "Ibraj".

Ç'doni të thoni me këtë?

Janë një grup njerëzish që i binden dhe e mbështesin drejtorin, duke formuar të ashtuquajturin "klan" të tijin. Ata janë shefi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Tiranës, Remzi Brahimi, me të cilin unë kam pasur përplasje, drejtori i Policisë së Dibrës, Dilaver Shima si dhe shefi i komisariatit të Bulqizës, Hamdi Hullani, këta kanë dorë dhe në akuzat që më adresohen mua, duke përgatitur largimin nga detyra.

Po përplasje tjetër keni pasur?

Më e fundit ka qenë ngjarja e 2 janarit. Ibraj më ka bërë presion, nëpërmjet drejtorit Tafili, duke kërkuar me insistim se përse flet Duraku me median dhe ka thënë se makina që u hodh në erë kishte një raketë elektronike brenda.

Ju keni folur?

Nuk mund të dija unë se çfarë ndodhi me makinën, kur ende ekspertiza nuk ka konkluduar për ngjarjen. Aq më tepër që në vendin e ngjarjes kanë ardhur dhe gazetarë, që kanë shkruar më pas për çfarë kanë parë. Nuk e di pse fjala raketë mund t'i ketë djegur drejtorit.

Ju thatë se ka pasur ndikim dhe indirekt?

Kështu besoj. Transferimet e mia kanë qenë të shpeshta. Nga Kruja më dërguan në Bulqizë, më pas më ulën në detyrë e më dërguan në Shkodër, e më në fund në Tropojë, ku ai besonte se unë do të vritesha, ose do të largohesha nga detyra.

Puna juaj në Tropojë?

Unë kam luftuar kontrabandën e viçave, që bëhet nga vëllezërit Malaj në Tropojë. Ata kalojnë mbi 20 makina në ditë tej kufirit. Ka rënë ndjeshëm dhe trafiku i makinave, duke thënë se është në minimumin e mundshëm deri tani. Megjithëse nuk më kanë mbështetur nga Tirana, kur kam kërkuar forca speciale, që të arrestoj 5 apo 6 persona në kërkim që lëvizin lirshëm qytetit.

Lidhur me atentatin që ju është bërë më 17 nëntor?

Unë nuk kam thënë se kush më ka qëlluar dhe është absurde ta kem sajuar vetë. Që në momentin e parë, kam njoftuar Prokurorinë dhe ata kanë nisur procedimin penal. Jam i hapur deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Largimi ishte i papritur, mendonit se do qëndronit gjatë në këtë detyrë?

Largimi më ngjan i llogaritur. Dikush ishte i interesuar që unë të isha drejtues i komisariatit të Tropojës deri në zgjedhjet e ardhshme. Le të ishte kushdo tjetër, vetëm Duraku jo, pasi nuk bëhej palë me askënd. Nuk e di se kush mund të jetë ky dikush, por jam i bindur se një urdhër është dhënë.

Ndryshimet, rrokada e drejtorëve dhe ndëshkimeve

Ministria e Rendit Publik pohon se, "i gjithë ky qarkullim funksionarësh policie, bëhet në vijimësi të masave për reformimin dhe ristrukturimin e plotë të Policisë së Shtetit, me synim dhënien e një impulsi të ri cilësor luftës kundër kriminalitetit dhe, në veçanti, krimit të organizuar e trafiqeve ilegale". Ky ka qenë motivi i bërë publik, që shoqëron ndryshimet më të fundit të ministrit Igli Toska në Policinë e Shtetit. Më së shumti, lëvizjet e drejtorëve dhe shefave të komisariait, të bërë të ditur dje nga Ministria e Rendit Publik, janë sipas zyrtarëve, tentativë e rritjes cilësore të punës së dikasterit. Ka patur vetëm një ndëshkim dje, dhe ky ka qenë përjashtimi nga policia e kryeinspektor Ylber Durakut, ish-shef i komisariatit të Tropojës, për pak muaj. Motivacioni i largimit në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Rendit është "për shkelje të betimit, mangësi e mungesë korrektësie në kryerjen e detyrave funksionale". Në vitin 2004, ministri i Rendit Publik, Igli Toska ka denoncuar në Prokurori mbi 180 policë e drejtues policie. Prokuroria, pasi ka vlerësuar materialet kallëzuese, pjesa më e madhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ka nisur procedimet penale për mbi 50 prej tyre.

Disa emërime nuk janë publikuar. Priten të tjera ndryshime

Sana, shefi i Krimeve të Durrësit

"Dekreti" që ka mbajtur në ethe Ministrinë e Rendit ka shkaktuar tërmet në polici. Lëvizjet mbajnë firmën e eprorit të dikasterit dhe dje janë ekzekutuar. Shefat e rinj kanë zënë detyrat e caktuara. Burime nga Ministria e Rendit Publik, pohojnë se shumë funksionarë janë ndjerë të habitur nga shkundja e radhës që ministri i ka bërë policisë. Besnik Sana, titullari i ri është rikthyer në drejtim të policisë së Durrësit, pasi katër vite më parë ka mbajtur detyrën e shefit të këtij komisariati. Ai ka qenë drejtues në komisariatin e Pogradecit dhe më pas të Durrësit, nga ku është ulur në detyrë dhe më pas larguar nga detyrat që mbante prej eprorëve të ministrisë, të cilët i janë rikthyer dy ditë më parë gradimit, në postin e shefit të Krimeve.

Drejtorët

Nuk janë të paktë drejtorët që kanë lëvizur nga detyra për t'u zëvendësuar me të tjerë. I vetmi nga oficerët që është ndëshkuar është kryeinspektor Ylber Duraku, që është përjashtuar nga policia. Transferimet kanë ndërruar 8 kryepolicë, duke i zëvendësuar në shmicën e rasteve me vartësit e tyre, në të njëjtën drejtori, specialistë nga ministria.

Rrethet

Durrësi, Vlora, Shkodra, Kukësi, Puka, Tropoja, Skrapari, janë qarqet dhe rrethet ku janë bërë ndryshimet më të mëdha. Ndonëse në analizat e fundvitit të gjitha këto komisariate janë përmendur si rezultativ në punët e tyre dhe sukseset kanë qenë afërsisht të majme. Ka dhe një numër emërimesh e ndryshimesh, kryesisht në rrethe, që nuk janë bërë publik nga Ministria e Rendit Publik. Pjesa më e madhe e shefave të rinj kanë udhëtuar nga Tirana drejt qarqeve.

Emërimet e fundit në Ministrinë e Rendit Publik

Komisar Asllan Dogjani, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, transferohet dhe emërohet me detyrë shef i Sektorit të Koordinimit të Kontrollit të Territorit në Drejtorinë e Koordinimit të Kontrollit të Territorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Komisar Ahmet Premçi, me detyrë shef i Sektorit të Krimit kundër Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, transferohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër

Nënkomisar Qamil Llukaj, me detyrë shef i Zyrës së Policisë së Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, transferohet dhe emërohet me detyrë zv.drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër

Komisar Agron Hysaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Pukë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Komisariatit të Policisë Tropojë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës

Nënkomisar Ardian Geca, me detyrë specialist në Laboratorin e Policisë Shkencore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Komisariatit të Policisë Pukë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut

Shkodër

Nënkomisar Vasil Valera, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Delvinë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, transferohet dhe emërohet në detyrë specialist i Planifikimit dhe Kontrollit të Shërbimeve, në Sektorin e Rendit dhe të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë

Nënkomisar Ilirjan Llanaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Skrapar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Komisariatit të Policisë Delvinë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut

Vlorë

Inspektor Artan Hoxha, emërohet në detyrë shef i Komisariatit të Policisë Skrapar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat

Kryekomisar Milto Kordha, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Durrës, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Seksionit të Analizës dhe Koordinimit për Krimet e Hapura në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë

Nënkomisar Alfred Çepe, me detyrë Shef i Sektorit të Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Rinas, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Komisariatit të Policisë Durrës, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës

Nënkomisar Arben Janaqi, me detyrë zv.drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, transferohet dhe emërohet në detyrë shef i Sektorit të Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës

Nënkomisar Arben Guri, me detyrë shef i Zyrës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, transferohet dhe emërohet në detyrë zv.drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës

Besnik Sana, transferohet shef krimesh në Komisariatin e Policisë së Durrësit

Kryeinspektor Ylber Duraku, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë përjashtohet nga Policia e Shtetit me motivacionin “për shkelje të betimit”, mangësi e mungesë korrektësie në kryerjen e detyrave funksionale

Reformat në rend dhe zgjedhjet në vend

Basir Çollaku

Kush e ka radhën? "E di SHKB-ja!". Sot inspektor, nesër drejtor, pasnesër, i përjashtuar, një javë më pas specialist në Ministri. Një Nastrodamus se merr vesh çngjet në Ministrinë e Rendit Publik. Por pa dalë te profecia si padashje në kohë e prag zgjedhjesh, rendi ndjen lëvizje të shumta. Policia në vitet e fundit ka parë e provuar tërmete të përsëritura. Zik-zaket e oficerëve të karrierës japin një grafik të lakmueshëm për kohët tropikale. Rrethet e "dyshimta", "problematike" që parashikohet të kenë telashe në marrjen e mandatit të deputetit duhet të jenë nën masa sigurie. së paku për rendin dhe ligjin, justifikojnë veprimet zyrtarët e lartë të dikasterit të rendit. Oficer policie të vjetër dhe me kontribut jo të pakët, që janë ende nën vuajtjen e marrjes së gradave të vonuara, habiten kur mësojnë se duhet ti thërrasin shef, drejtor, komisar, atij që pëshpëritet se ka qenë është dhe mund të jetë i implikuar, në trafiqe, abuzim me detyrën, mitmarrje, e sa të tjera vepra penale, që mbushin dosjet e fjetura në arkiva. Pikërisht kur funksionari i policisë kujtohet, ndërgjegjësohet, një shkop godet dosjen e tij të pluhurosur dhe ai bindet të jape prodhimin e këkruar në komiariatin, drejtorinë, apo rajonin e policisë ku shërben. Nuk duam policë garipa, cuba, tha kryeministri, fundvitin 2004 në analizën e Minstrisë së Rendit. Kemi mbaruar fazën e parë të reformës, atë të rend brenda rendit, lajmëroi titullari i parë Igli Toska po në konferencën e fundit të vitit të shkuar. Të gjitha gjërat e çuditshme duket se i bën një telefon i vjetër, që ende funskionon në këtë institucion shumë të rëndësishëm. Alo? Ai, sikur....Ankesat që mbajnë emrin dëshirë, ose më bëj një nder, zënë radhën për firmë në Ministrinë e Rendit dhe adresa dërguese është në mënyrë të përsëritur politika. Deputetë, të cilët shoqërohen më pas me eskortën e vënë në dispozicion nga i besuari i emruar që "nuk ëstë vënë kot" por së shpejti ka gjasa të numërojë kot fletë votimi, kut, rezutate, që përkthehen në mandate kuvend... Mjerë policët e rangut të ulët që bëjnë detyrën deri në vrasje, duke u përplasur me kriminelin, që rastësisht drekon e darkon diku, me dikë që dhe polici dhe i kërkuari nga drejtësia e thërrasin SHEF. Zgjedhjet janë në të ardhur duke bërë vend brenda rendit, ashtu si ministria, rend brenda rendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›