E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Rritja ekonomike 4.5 për qind

 

Rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë 4 deri në 4.5 për qind. Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për agjencinë e lajmeve “Reuters”, teksa merrte pjesë në Konferencën e Bankave Qendrore të Evropës. Madje, sipas Guvernatorit Fullani, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 do të tejkalojë parashikimin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Nuk mendoj se FMN-ja po nënvlerëson rritjen potenciale, tha Guvernatori Fullani, megjithatë rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë më e madhe dhe mund të luhatet në nivelin 4 deri 4.5 për qind”. Sipas tij, një pasqyrë më e qartë mbi situatën pritet të dalë gjatë 3 apo 6 muajve në vijim, periudhë e cila do të jetë vendimtare. “Gjithsesi rritja ekonomike do të jetë përtej nivelit 4 për qind”, ka theksuar Fullani. Deklarata e Fullanit vjen pak ditë pas takimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë këtij takimi FMN-ja theksoi se kriza financiare ndërkombëtare do të reflektohet edhe në ekonominë vendase. “Qeveria nuk mund të ndikojë në ngjarjet e jashtme botërore, por mundet dhe duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç’duhet. Kjo do t’i mundësonte Shqipërisë ta kalonte furtunën e këtyre kohëve të turbullta dhe përsëri të regjistronte një rritje ekonomike domethënëse midis 3.5 dhe 4 për qind në vitin 2009, me një inflacion të ulët dhe me një pozicion të përmirësuar të llogarisë korrente”, ka thënë shefi i misionit të FMN-së, Bell. Por pavarësisht kësaj, ministri i Financave, Ridvan Bode, insistoi se rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë 6 për qind. “Programi i vitit 2009 është realist. Ne kemi programuar që rritja ekonomike të jetë në të njëjtat parametra me vitin 2008, në nivelin 6%, që është dhe rritja më e fortë ekonomike në rajon”, ka Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›