E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati fondet për banesat me qira

 

fabiola çela

Çelen fondet e kredisë për ndërtimin e 1100 apartamenteve. Nga projekti për ndërtimin e banesave sociale me qira do të përfitojnë nëntë bashki. Apartamentet e para janë parashikuar që të ndërtohen në Tiranë. Vitin e ardhshëm pritet të nisë puna për ndërtimin e banesave sociale me qira. Por nga ky projekt nuk mund të përfitojnë të gjithë të pastrehët. Qeveria ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë familjet e pastreha për t’u bërë pjesë e këtij projekti.
Projekti
Zbatimi i këtij projekti është parashikuar të nisë me disbursimin e kredisë. Pasi përfundon procesi i disbursimit të kredisë, bashkitë përfundojnë projektet si dhe realizojnë prokurimet. Procedurat e prokurimit kanë një afat prej 50-ditor. Pas kësaj hapet edhe drita jeshile për ndërtimin e këtyre apartamenteve. Pra, sipas Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, puna për ndërtimin e këtyre banesave është parashikuar që të nisë në muajt e parë të vitit 2009. Sipas të dhënave, ndërtimi i një godine banimi zgjat nga 11 deri në 18 muaj. Sipas Ministrisë së Punëve Publike, apartamentet e para do të ndërtohen në kryeqytet. Konkretisht në 2009-ën do të startojë ndërtimi i 400 apartamenteve në zonën e ish-kombinatit të autotraktorëve.
Kredia
Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës (CEB) ka miratuar lëvrimin e kredisë për katër bashkitë e para, konkretisht për bashkinë e Beratit, Fierit, Kavajës dhe Peshkopisë. Ndërkohë që javën e ardhshme do të miratohet edhe kredia për Bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit. Kredia e dhënë nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës (CEB) arrin në 15 milionë euro. Por niveli i qirasë i këtyre apartamenteve nuk mbulon tërësish kthimin e kredisë, pasi kredia është marrë përsipër të kthehet nga bashkitë. Kredia për këtë projekt është marrë nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës (CEB) me garanci shtetërore. Kjo kredi do të shlyhet për 20 vjet, nga të cilat 5 vjet janë grace period. Principali i kredisë do të shlyhet nga bashkitë, ndërsa interesi nga buxheti i shtetit. Kredia e marrë financon 60 për qind të vlerës totale të projektit pa TVSH. Kjo e fundit rimbursohet nga buxheti i shtetit, i cili financon gjithashtu edhe një përqindje të caktuar.
Premtimi
Në fillim të qeverisjes së tyre qeveria demokrate premtoi se brenda 4 viteve do të ndërtoheshin 4 mijë apartamente për të pastrehët si dhe do të zgjidhet problemi i familjeve që jetojnë në banesat e ish-pronarëve. Këtë investim qeveria do ta realizojë nëpërmjet bashkëpunimit me qeverisjen vendore me sektorin privat. Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike, deri më tani janë siguruar gati një mijë apartamente nga Enti Kombëtar i Banesave. Një pjesë e tyre janë ndërtuar në bashkëpunim me bashkitë. Këto banesa janë ndërtuar në të gjitha qytetet, përveç Tiranës. Kjo, pasi Enti Kombëtar i Banesave e ka pasur shumë të vështirë të gjejë një truall të lirë në Tiranë. Aktualisht mësohet se Enti Kombëtar i Banesave është në marrëveshje me bashkitë e Durrësit, Shkodrës, Korçës dhe disa bashki të tjera për të ndërtuar banesa me të ardhurat e tyre.

Të pastrehët që përfitojnë

Familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi këtu mund të futen edhe ata që banojnë në banesat e ish-pronarëve Familjet që kanë të ardhura të ulëta Familjet invalide si dhe persona me aftësi të kufizuara Persona që kanë statusin e jetimit Gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë Të moshuar pa përkrahje Çifte të reja deri në moshë totale 55 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›