“Qeveria po keqpërdor paratë e taksapaguesve”
Qeveria po keqpërdor paratë e taksapaguesve shqiptarë. Projektbuxheti i 2009-ës nuk është gjë tjetër, veçse një buxhet elektoral. Ky ka qenë reagimi i nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Arben Malaj, lidhur me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas tij, niveli i të ardhurave ka nisur të ulet dhe kjo po kompensohet nga qeveria me mbledhje abuzive të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. “Shqetësimi i dytë është që realizimi i investimeve publike dhe dështimet e tyre 300 milionë dollarë ishte dështimi për vitin 2007, realizim më pak se 50% është niveli i investimeve për 9 muajt e vitit 2008. Abuzuese, shpërdoruese dhe korruptive duket politika e investimeve publike për vitin 2009”, tha ai. Sipas Malajt, projektet që po çelen në prag të fushatës elektorale do të rëndojnë zvarritjen e shumë investimeve të nisura dhe të papërfunduara për disa vite rresht. Ky është shpërdorimi i madh me fondet publike. “Qeveria po tenderon projekte qindra milionë lekë dhe çel në buxhet për këto projekte 5–10% të shumës. Kjo tregon keqpërdorim të parave të taksapaguesve shqiptarë dhe korrupsion në rritje me investimet publike”, deklaroi deputeti i PS-së. Ndërkohë, sipas tij, qeveria ka dështuar edhe në investimet në sektorët jetikë arsim, shëndetësi dhe bujqësi. “Për vitin 2009 rritja ekonomike mund të jetë më e vogël, rreth 3.5%. Kjo do të sjellë më pak të ardhura në buxhet, duke rrezikuar një deficit më të lartë dhe mund të rrisë papunësinë dhe varfërinë”, ka theksuar Malaj.