Berisha: Opozitës mafiozo-komuniste do i shkul dhëmbë e dhëmballëNga Tema Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se ai do t’i shkulë dhëmbë e dhëmballë aleancës së opozitës që kërkon hapjen e kutive. Berisha tha dje se ultimatumet e opozitës i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Opozitës mafiozo-komuniste do i shkul dhëmbë e dhëmballëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, tha dje se ai do t’i shkulë dhëmbë e dhëmballë aleancës së opozitës që kërkon hapjen e kutive. Berisha tha dje se ultimatumet e opozitës i sheh si një nder që i bëhet atij. Kryeministri e quajti opozitën mafioze dhe komuniste.
“E garantoj aleancën punisto-mafioze se me darët e ligjit një nga një do t’u shkulim dhëmbët dhe pastaj dhëmballët. Nuk do t’u mbetet gjë në gojë. Qendra e Tiranës u çlirua, po vazhdon pak më tutje e kështu me radhë. Ultimatumet e aleancës punisto-mafioze i marr si nder, me bëjnë nder mua, rendit kushtetues dhe ne do të vazhdojmë projektin evropian”, - u shpreh Berisha.
Kryeministri nuk u përgjigj në lidhje me deklaratën e presidentit Bamir Topi se ai mund të luajë rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës, në rast se partitë politike ia kërkojnë një gjë të tillë.
Berisha gjeti këtë moment edhe për të deklaruar se gazetarët marrin sms, kur bëjnë të tilla pyetje.
Edhe pse jo një datë jubile, Berisha ka gjetur pikërisht 8 dhjetorin për t’iu përgjigjur opozitës me një antimiting.
Dje ai është kujdesur personalisht për masat që do merren për organizimin e tij. Gjithçka po përgatitet që mitingu të ketë vulën e partisë së tij. Njerëzit që kishte mbledhur dhe po mobilizon për këtë miting janë po ata që organizonin mitingjet e tij, kur ishte në opozitë. Berisha tha dje se 8 dhjetori është një festë e madhe e shqiptarëve.
“Nuk mund ta lë pa theksuar se ata, të cilët në vitin ‘90 na quajtën si antimiting apo mitingashë, në refleksin e etërve të tyre, sërish kanë hapur gazetat e tyre me germa kapitale dhe vlerësuan 8 dhjetorin si një antimiting. 8 dhjetori është festa e shqiptarëve dhe e idealeve evropiane të shqiptarëve”, - tha Berisha.
Prej disa ditësh kryeministri, Sali Berisha, ka marrë vetë përsipër rolin e provokatorit të opozitës. Ai u shfaq në dritaren e Kryeministrisë për të provokuar opozitën, më pas deklaroi se, edhe nëse Enver Hoxha do të ngrihet nga varri, kutitë nuk do të hapen. Më parë ai kishte deklaruar se as në qiell e as në tokë nuk do të ndodhte një gjë e tillë. Një citim i tillë duket se ka lënë ‘mbresa’ te mediet e huaja, që e kanë raportuar dhe e kanë vendosur në Google News si citim ilustrues për emrin Sali Berisha.
Së fundmi ai po e akuzon opozitën si komuniste dhe të kriminalizuar duke i shpallur luftë.
PS: Berisha nuk tremb asnjë opozitar
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, iu përgjigj deklaratës së kryeministrit, Sali Berisha, se do i shkulte dhëmbët e dhëmballët aleancës punisto-mafioze, duke thënë se Berisha nuk mund të trembë më opozitën.
“I bëjmë thirrje Sali Berishës të qetësohet dhe ta harrojë se me fjalorin e dhunshëm të sekretarit të dikurshëm të Partisë së Punës mund të trembë ndonjë opozitar të këtij vendi siç terrorizonte dikur njerëzit e pafajshëm duke i shërbyer me zell të madh diktaturës komuniste. Sa për shkuljet e dhëmbëve të korrupsionit kemi frikë se, po ta ketë seriozisht, doktorit do t’i duhet të shkulë veten me gjithë familje e qeveri”, - tha zëdhënësja e PS.